Ardian Ismajli luan prej disa vitesh në Itali, ndërkohë që më parë ka qënë pjesë e Hajduk Splitit në Kroaci, dy shtete që bashkë me Spanjën, janë shortuar në grup me Shqipërinë në Europian. Duke folur për mediat kroate, mbrojtësi i Empolit shprehet se Shqipëria dhe Kroacia janë dy kombëtaret që ai preferon që të kalojnë grupin. Gjithashtu Ismajli tregon se i njeh mirë lojtarët kroatë, por nuk harron edhe të tregojë forcën e Shqipërisë dhe synimet që ka. Një tjetër diçka e veçantë është se e dashura e tij Matea është kroate, prandaj mes tyre do të ketë një “duel” në Gjermani 2024.

SHORTI – “E ndoqa shortin e Europianit në autobus, sepse po ktheheshim nga transferta me Xhenoan dhe e ndoqëm live shortin e çifteve. Ishte interesante dhe të gjithë ranë dakord që grupi ynë ishte më i vështiri, grupi i vdekjes. Kemi Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, tre skuadra shumë të mira, të cilat do të jenë shumë të vështira për Shqipërinë.

Edhe pse u shortuam me tre kombëtare të mëdha, ju e dini se si është, nuk ka kundërshtarë të lehtë në Europian, të gjithë ata që u kualifikuan e meritojnë të jenë atje dhe shpresojnë të kalojnë grupin, ashtu edhe ne. Kur nisën kualifikueset, shumëkush i konsideroi favoritë çekët dhe polakët, po në fund ishim ne ata që dolëm të parët në grup, që do të thotë se e meritojmë. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në ndeshjet direkt me rivalët për kreun e grupit”, thotë Ismajli fillimisht.

KROATËT – Nëse dikush i njeh lojtarët kroatë, Ismajli, i cili ka kaluar pesë vjet në Kroaci, i njeh mirë ata. Mbrojtësi mezi pret të shohë në fushë ish-shokët e skuadrës së tij:

“Në kombëtaren kroate bëjnë pjesë Nikola Vlashic, Josip Juranoviç dhe Martin Erliç, të cilët i kam takuar në Itali, si dhe disa lojtarë të tjerë të kombëtares kroate. Do të jetë mirë t’i shohim përsëri në fushë, të shkëmbejmë fanellat pas lojës, por larg kësaj, se do të jetë një detyrë e lehtë si për ne ashtu edhe për ata. Në pesë vitet e fundit, Kroacia ka fituar tre medalje në garat e mëdha, të gjithë e dimë se sa e fortë është kombëtarja, çfarë mentaliteti kanë.

E di sa e fortë është skuadra që drejtohet nga trajneri Daliç, i njoh pothuajse të gjithë lojtarët dhe nuk kam nevojë të flas se çfarë lloj individësh janë, në çfarë lloj klubesh luajnë të gjithë. Kroacia, Spanja dhe Italia janë kombëtare të mëdha dhe do të jetë interesante sesi do të zhvillohen gjërat në grup.

Ne do të bëjmë maksimumin në fushë, kështu që si do të përfundojë, futbolli është i paparashikueshëm, loja mund të shkojë në një drejtim apo në një tjetër dhe besoj se edhe ne kemi një shans, pavarësisht peshës së kombëtareve të tjera që janë favorite”, thotë më tej Ismajli.

TIFOZËT DHE PRITSHMËRITË – Interesante do të jenë duelet në fushë, por njësoj do të jetë edhe në tribuna. I këtij mendimi është edhe Ismajli.

“Oh po, do të jetë një shfaqje, (qesh)… Jam i sigurt se do të ketë shumë tifozë të Kombëtares tonë sepse shumë shqiptarë e kosovarë jetojnë në Gjermani, Austri, Zvicër. Shumë prej tyre do të vijnë edhe nga Shqipëria e Kosova. Të gjithë do të duan të shohin se sa mund të bëjmë në konkurrencën e tre kombëtareve të mëdha dhe nuk kam dyshim se do të kemi mbështetje të madhe, të paktën po aq sa rivalët tanë”, shprehet mbrojtësi i cili flet edhe për pritshmëritë:

“Unë i kam parë ato ndeshje, për mendimin tim ato dukeshin shumë më mirë se sa treguan rezultatet përfundimtare. Besoj se në Gjermani do të marrim një rezultat më të mirë, pavarësisht fuqisë së grupit. Nëse më pyet mua, le të kalojnë Kroacia dhe Shqipëria, (qesh)… Kroacia është e fortë, nga portieri te qendërsulmuesi, sidomos në mesfushë Modriç, Kovaçiç, Brozoviç dhe Guardiol. Nuk dihet se në çfarë forme do të jetë Perisiçi, i cili për mendimin tim është forca më e madhe e Kroacisë”, thotë ndër të tjera 27-vjeçari.

FORCA E SHQIPËRISË – Mbrojtësi i Kombëtares pyetet edhe për forcën më të madhe që ka skuadra e Shqipërisë aktualisht:

“Nëse luan Jasir Asani, i cili po rikthehet nga një dëmtim i rëndë, nëse arrin të kapë formën e duhur, ai do të jetë përforcimi ynë më i madh. (Në fjalinë më sipër, emri i Jasir Asanit është vendosur gabimisht nga media kroate, pasi mbrojtësi i referohet Armando Brojës, duke thënë që është kthyer nga një dëmtim i rëndë dhe do të jetë përforcimi ynë). Mendoj se jemi një skuadër e organizuar mirë, Berisha, Gjimshiti, Bajrami, Seferi, Ramadani, Muçi, Asllani, Hysaj, Cikalleshi që e njihni nga Spliti, Uzuni që ka luajtur për Lokomotivën, dhe një nga ndihmësit e Silvinjos është edhe Ervin Bulku që ka luajtur për Hajdukun”.

EMPOLI – Ismajli është i kënaqur me paraqitjet e tij në Itali dhe pjesë e rregullt e formacionit të toskanëve.

“Për të mos u kënaqur, luaj rregullisht në një nga ligat më të mira në botë, jam duke u përmirësuar vazhdimisht. Po luftojmë për mbijetesë, që nuk është e lehtë, por besoj se do të qëndrojmë sepse kemi një ekip cilësor. Shpresoj për një pranverë shumë më të mirë. Unë kam arritur tashmë një objektiv të sezonit, që është kualifikimi në Europian, tani më kanë mbetur edhe dy, të qëndroj në kategori dhe të luaj mirë në ‘Euro 2024′”.

E DASHURA – Ardian Ismajli është i lidhur me Matea Belshiç, e cila është presidente e skuadrës së Hajdukut për femra. Ndërkohë në lidhje me ish-ekipin e tij, mbrojtësi kuqezi shprehet:

“Hajduku është dashuria ime e madhe, shpresoj që ky do të jetë sezoni, në të cilën do të dalin kampion. Ndeshjen kundër Goricës e kam parë pas barazimit, siç e shikoj çdo ndeshje dhe jam shumë i kënaqur me paraqitjet e tyre. Gjithçka nis nga presidenti Jakobushiç, i cili e organizoi mirë klubin në të gjitha nivelet, trajneri Karoglan dhe ka disa lojtarë cilësorë në çdo pozicion dhe jam i bindur se Hajduk do ta fitojë kampionatin. Nuk e shoh se kush mund t’i konkurrojë. Femrat e Hajdukut vështirë se do të jenë kampione këtë vit, por meshkujt do ta bëjnë, kjo është e sigurt”, përfundon intervistën për “24sata.hr” Ismajli. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb