TIRANË
Mjeku i njohur, epidemiologu Ilir Alimehmeti ka folur sot në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 për ligjin e ri të qeverisë për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria, që detyron studentët e mjekësisë të punojnë disa vite në vend pas mbarimit të universitetit, për të marrë diplomën.
Alimehmeti tha se shteti shqiptar do shkojë drejt një VKM-je që kërkon privatizimin e universiteteve publike.
Ai deklaroi se ky ligj mund ta ketë efektin pas 6-10 vitesh, ndërkohë që emergjenca është sot apo deri 6 vite në vijim.
Sipas tij, kemi një sistem shëndetësor pothuajse të dështuar dhe mjekët duhen mbështetur sot, pasi kështu mund të frenohet largimi i tyre.
“E kemi thënë se nuk ka mjekë, ka mungesa mjekësh në shumë zona. Në disa zona ka më pak shërbim shëndetësor se sa nevojitet. Kundërshtoheshim, por ja ku rezulton se paskemi pasur të drejtë.
Sa herë harxhojmë kohë për të diskutuar kemi një problem apo jo harxhojmë kohë. Jemi dakord se kemi një sistem shëndetësor pothuajse të dështuar, me shumë vakanca të personelit shëndetësor, kjo për shkak të keqmenaxhimit të burimeve njerëzore.
Jemi shumë dakord që burimet njerëzore janë pika kyçe e sistemit shëndetësor, nuk bëhet me makina, me mure apo veshje të bukura, por me njerëz dhe me dijeninë e tyre. Kur ne flasim, ne, njerëzit, çdo profesionist nëse mbështetet dhe është mirë në vendin e tij nuk ka arsye pse të ikë. Kur ikën, ikën se është keq në vendin e tij.
Ne duhet të mbështesim mjekët dhe e dimë shumë mirë si mbështetet dhe jo t’i marrim me detyrim për të bërë një punë të nënpaguar. Je i fundit në Europë, ta kalon dhe Kosova”, tha Alimehmeti.
Ai theksoi se duhen mbështetur me pagesë, me rritje profesionale. “Rritja profesionale është shumë e rëndësishme për mjekët. Vijnë dhe mbarojnë ciklin dhe gjenden para një mundësie minimale për avancimin në karrierë.
Studentëve iu shkoi thikë pas shpine në sezon provimesh. Ishin në punë të tyre. A është një nga shtetet që njihet për zbatimin e ligjeve, që kur ka një ligj ai zbatohet dhe s’ka shans që të mos zbatohet, Shqipëria? E kanë të qartë të gjithë, këto gjëra nuk bëhen me ligje bllokuese.
Populli i ka vakancat shëndetësore sot. Kjo zgjidhje në thonjëza, i shtrin efektet pas 6-10 vitesh. Por nevoja sot e për 6 vjet çfarë do bëhet. Nëse i mbështet mjekët sot, direkt në shtator futen në punë ata, futen vetë. Por mbështeti siç duhet, mbështeti në shoqëri, mos m’i nxirr sikur janë kriminelët, kokat e narko-trafikut. Kjo të rikthen te mendimi i luftës së klasave. Ne jemi shumë dakord që ka vakanca, që duam burime njerëzore, ne kemi diferencë mendimi si zgjidhet kjo punë”, tha ai.
Sipas Alimehmetit, kështu do jetë dhe me profesione të tjera.
“Po të jetë mirë një inxhinier nuk ikën. Një nismë e ngjashme ishte në 2-3 vende afrikane, nuk e kishte asnjë vend i Europës, ku aspirojmë të shkojmë. Me zor nuk mbahet dot askush sepse në këtë diskutim diplomatik dhe shkresash, krahun e fuqishëm do ta ketë Gjermania apo shtetet europiane. A ta kërkon diplomën Gjermania? Përgjigjja është jo, e ka fare lehtë ta anashkalojë.
Kush është shkolluar në Itali e di që një diplomë do vite për të ardhur në dorë. Ti mund të punosh ndërkohë. Gjithë kjo lojë është të heqin mendjen nga ajo çfarë do ndodhë me të vërtetë. Ne nuk kemi njerëz me vizion largpamës, po shohim vetëm arna.
Këto para do shkojnë te privati jo arka e shtetit. Si qeveri i ke kërkuar një ligj në mënyrë të përshpejtuar parlamentit dhe nuk ke bërë llogari. Është tjetërkund ku po kërkon të kalojë uji. Është thjesht zhurma për të bllokuar sinjalin. Shteti shqiptar do shkojë drejt një VKM-je që kërkon privatizimin e universiteteve publike. Ata po shihen si numra, si mjet për të arritur këtë privatizim”, tha mjeku i njohur.