Nga: GERILINA KODHELI
Vetëm pak ditë më parë Genta Ismajli ka publikuar këngën e saj të re në bashkëpunim me MUMA, “Squat Baby”. Ashtu siç ishte e pritshme, kënga arriti më shumë se 1 milion klikime në vetëm 5 ditë duke shënuar kështu suksesin e radhës të Gentës. Por, menjëherë pas lançimit, rrjetin e pushtoi lajmi se kënga e shumëpritur e Genta Ismajlit në fakt nuk ishte asgjë më shumë sesa një kopje e këngës së Supa Squad, me titull “Gyal Move”, e publikuar në vitin 2013. Ky fakt, sipas Mumës, bashkëkëngëtarit të Gentës është thjesht një sulm për të zbehur suksesin e këtij hiti.
“Këngën e kemi vjedhur pa pikë turpi”, thotë me shaka Muma, teksa shpjegon më tej se studioja që ka prodhuar këngën ka paguar të drejtat autoriale tek artistët e origjinalit, për përdorimin e një pjese të muzikës.

“Një këngë shitet edhe me të drejta jashtë shtetit. Studio ku unë punoj, ‘As Recording’ ka krijuar këngën ‘Të ka lali shpirt’, e cila është shitur në dhjetë gjuhë të botës. Artistët kur publikojnë një këngë nuk mund të publikojnë përpara kontratën që ta shohin njerëzit. Kënga u është marrë disa djemve nga Xhamajka që pinë hashash, disa adoleshentëve. Është blerë kënga, pa pikë turpi është blerë dhe është me të drejta shfrytëzimi, është e licencuar. Studioja ku punoj i ka praktika normale këto, më herët ka shitur këngë dhe tani ka blerë”.

Sipas tij, “ideja e këngës është e licencuar ndërsa orkestrimi – arranzhimi është i bërë nga Alfred Sula, pra e vetmja ngjashmëri është kompozimi, gjithçka tjetër është e krijuar nga ne. Çfarë duhet të themi për super hitin ‘Të ka lali shpirt’, i cili është i licencuar në mbi 10 shtete të tjera, kjo quhet arritje, ndryshe nga insektet e muzikës që nuk kanë as 0,1% talent dhe si gjithmonë përdorin mënyrën e kacavjerrjes, duke u munduar të hedhin baltë mbi artistët e vërtetë, por ç’e do që emri i tyre do të mbetet gjithmonë parazitë muzikorë”. Por, pse një artiste si Genta dhe Muma kanë ndjerë nevojën të blejnë një këngë të publikuar tashmë dhe jo të krijojnë një këngë të re? Muma sqaron se, “ne kemi krijuar shumë këngë, por ‘Gyal Move’ ka tri vite me 100 mijë klikime, ndërsa unë mendova se nëse do të sillej në shqip e përpunuar, mund të bëhej hit”. I pyetur nëse Genta Ismajli ka pasur dijeni mbi këtë histori, Muma rrëfen: “Artistët nuk kanë lidhje me këto gjëra. Genta vjen në studio dhe pëlqen një këngë dhe është labeli ai që kujdeset që artisti të mos ketë probleme dhe kënga të jetë sipas rregullave. Lajmin se kënga ishte e vjedhur e ka nxjerrë ‘MCN Radio’, madje edhe e kishte sponsorizuar si lajm, pra ka paguar që të dëmtojë imazhin dhe nuk e di pse”. Por, producent i “MCN Radio” është një emër i njohur në showbiz-in shqiptar dhe njëkohësisht në botën e muzikës. Po flasim për reperin nga Tirana, Big Basta. Ndodh rëndom që artistët të kenë konflikte mes njëri-tjetrit, por nëse këtë herë sulmi është për çështje personale mes reperit dhe Genta Ismajlit apo Mumas, ky i fundit përgjigjet: “Unë nuk e kam takuar asnjëherë në jetën time, as kam folur dhe nuk kam lidhje me atë njeri. Mund të jetë xheloz, nuk e di”.

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb