Kënga e Eneda Tarifës, “Fairytale”, me të cilën Shqipëria merr pjesë këtë vit në “Eurosong” është publikuar në RTSH në versionin anglisht dhe me videoklip të dielën në mbrëmje. Në 24 orët e publikimit komentet kanë qenë të shumta, e më së shumti negative. Duke filluar nga krahasimi i pamjes së këngëtares me atë të personazhit të serialit televiziv indian, Sadna, e deri te kritikat për këngën, shumica e komenteve në rrjetet sociale ose në “Youtube” nuk e kanë pëlqyer këtë version.

“Është e tmerrshme”, “Si të shkatërrosh një këngë”, “Si të shkatërrosh një komb”, “Më mungon Elhaida”, “Versioni i vjetër: kryevepër, versioni i ri: i tmerrshëm”, “Versioni shqip ishte më i mirë, ky më zhgënjen”, “Nuk dua ta dëgjoj më”, “Kemi nevojë për një Rona Nishliu të dytë”, janë disa prej komenteve më negative për këngën në “Youtube”. Krahas tyre, ka pasur edhe pak komente pozitive si: “Kjo është kryevepër. 12 pikë nga Kroacia”. Ndërkaq, nga 70 mijë klikime, 1000 janë pëlqime dhe 2000 mospëlqime. Edhe në profilin e Tarifës në “Facebook”, fansat i kanë këshilluar që kënga e saj në versionin shqip ishte shumë më mirë dhe se versioni anglisht është i dobët. “Faleminderit të gjithëve që punuat për këtë këngë, që është një projekt për Shqipërinë!

Sapo u promovua në RTSH”, shkruante në profilin e tij në “Facebook”, drejtori i RTSH-së, Martin Leka. Ndërsa, po aty, regjisori Saimir Kumbaro shkruan: “Kënga tingëllon dhjetë herë më e bukur. Interpretimi shumë i mirë. Videoklipi i realizuar. Urime Martin Leka”. Në videoklip këngëtarja shfaqet me veshje të ndryshe, ku mbizotëron e kuqja. Në disa prej skenave në qafë mban një kryq, e në të tjera ajo shfaqet mbi shilarëse ose e ulur mbi shkallë të bardha, që duket se i aviten qiellit.

Mekanizma orësh dhe pemë janë në disa raste sfondi i saj, ndërsa në të gjithë klipin ajo shfaqet e vetme. Muzika dhe teksti janë të Olsa Toqit, ndërsa Eneda Tarifa u shpall fituese e Festivalit të 54-t të Këngës në RTSH me “Përrallë”, duke fituar të drejtën të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2016” në Suedi. Pas marrjes së çmimit në dhjetor 2015, Eneda tha se “ndihem si në përrallë. Unë e jetova e përjetova këngën time. Më keni mbushur me emocion, ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen, do bëj të pamundurën ta realizoj ashtu siç duhet në ‘Eurosong'”.

Tarifa është këngëtare që ka pasur sukses në Shqipëri. Së paku prej vitit 2002, ajo ka qenë gjithnjë në skenë duke marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, në “Kënga Magjike” apo në “Top Fest”. Suksesi i saj më i madh para se të fitonte Festivalin e RTSH-së, ka qenë interpretimi i këngës “Me veten”, me të cilën ajo në vitin 2010, fitoi “Top Fest”, ndërsa kënga e saj vijon të këndohet ende. Prej vitesh është prezantuese e një prej programeve më të ndjekura të humorit në Shqipëri, ndërsa nuk është shkëputur nga muzika.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: