Kënga e Adelës ” Million Years Ago ” është tërhequr përkohësisht nga një gjykatë braziliane pas një ankese për plagjiaturë nga kompozitori Toninho Geraes, i cili pretendon se Adele ka kopjuar muzikën e “Mulheres”. Vendimi ushtron presion mbi filialet braziliane të Sony dhe Universal, kompanitë diskografike që përfaqësojnë Adele, duke i kërcënuar me gjobë prej 8000 dollarësh për çdo shkelje të urdhrit. Kompanitë kanë mundësi të ankohen kundër vendimit.
Urdhri i përkohshëm, i cili u lëshua të premten nga gjyqtari Victor Torres në një gjykatë në Rio de Zhaneiro, do të qëndrojë në fuqi derisa të ketë zhvillime të mëtejshme në këtë çështje. Sipas urdhrit, të vënë në dispozicion të AFP-së, kompanitë diskografike Sony dhe Universal urdhërohen të ndalojnë “menjëherë dhe në mbarë botën” çdo përdorim, riprodhim, shpërndarje ose shfrytëzim komercial të “Million Years Ago” qoftë përmes mediave fizike apo dixhitale, transmetimit apo platformave të tjera.
“Është një pikë referimi për muzikën braziliane, e cila shpesh është kopjuar për të krijuar hite ndërkombëtare”, tha për AFP avokati i kompozitorit Toninho Geraes, Fredimio Trotta. Ai gjithashtu vuri në dukje se ekipi i tij ligjor do të sigurojë që stacionet e radios dhe televizionit, si dhe shërbimet e transmetimit ndërkombëtar, të njoftohen për vendimin brenda javës.
A Brazilian judge has ordered that a song by British pop superstar Adele, “Million Years Ago,” be pulled worldwide — including on streaming services — over an ongoing plagiarism claim by a Brazilian composer.https://t.co/Cb2a0q4bjm pic.twitter.com/rdHighJU5r
— AFP News Agency (@AFP) December 16, 2024
Geraes thotë se kënga e Adelës, e publikuar në vitin 2015, kopjon muzikën e këngës “Mulheres” (Femrat), e cila u regjistrua nga këngëtari Martinio da Villa në vitin 1995. Kompozitori kërkon dëmshpërblim për fitimet e humbura, dëme morale prej 160 mijë dollarësh dhe njohje të pjesëmarrjes së tij në krijimin e këngës.
Sony Brazil tha se “nuk kishte asnjë deklaratë për të bërë në këtë moment”, ndërsa Universal Music Brazil nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Trota shtoi se vendimi i gjykatës u dërgon një mesazh të qartë artistëve dhe kompanive diskografike me famë ndërkombëtare për ” përdorimin parazitar” të muzikës braziliane. “Producentët dhe artistët ndërkombëtarë që kanë muzikë braziliane në radarin e tyre për shfrytëzim të mundshëm do të mendojnë dy herë, duke pasur parasysh këtë vendim,” tha ai.
Kënga Mulheres e kompozitorit Toninho Zeraes
Në vitin 2015, “Million Years Ago” u akuzua edhe nga muzikdashësit turk për plagjiaturë, pasi i ngjante këngës “Acilara Tutunmak” (Duke mbajtur dhimbjen) të këngëtarit kurd Ahmet Kaya të vitit 1985. Kaya vdiq në vitin 2000 në Francë, ndërsa e veja e tij kishte deklaruar se e konsideronte të pamundur që një artiste si Adele të kryente një veprim të tillë.