Ata që njohin Irma Libohovën, Ema Qazimin, Myfarete Lazen, Liljana Kondakçiun, Kozma Dushin, Bashkim Alibalin etj., njohin patjetër edhe Alida Hiskun, këngëtaren e njohur të hiteve të muzikës së lehtë, e cila prej vitesh jeton me familjen e saj në Gjermani.
Po ka gjithmonë nostalgjinë e rikthimit në vendlindje. Dhe jo vetëm për mallin e të afërmve, por edhe për publikun e saj, i cili i mungon shumë.
E rikthyer këtë herë në “S’e luan Topi”, Alida ndan me të gjithë nostalgjinë e viteve, kujtimet e garave muzikore, por gjithashtu ndihet e keqardhur që nuk e ka provuar më festivalin, megjithëse vijon të këndojë njëlloj si dikur.
E pyetur për këtë, pse u ka munguar ajo festivaleve apo pse nuk ka marrë pjesë në to, Alida tregon e përlotur se nuk është ftuar asnjëherë, por nuk e di arsyen pse ka ndodhur kjo.
Pse mendon se nuk ka ardhur një ftesë?
Këngëtarja mendon se ka dy gjëra në këtë mes, të mënjanojnë ose mënjanohesh. Ajo është e bindur se në rastin e saj, është e para: “Më kanë mënjanuar. Nuk e di pse. Mbase ngaqë u kthye festivali një treg biznesi? Si ta marr? Jetoj jashtë shtetit? Nuk i di arsyet. Më vijnë fjalët, nuk kam ku t’I bazoj. Fakti është që unë nuk kam ardhur…”, – tregon me lot në sy këngëtarja.
Por këngëtarja shton se nuk i mungon asnjë titull, sepse ajo e ka marrë titullin që ka dashur më shumë nga publiku i saj: “Unë kam titullin më të madh, mbase jo prej letre. Po janë 50 vjet që ky publik më ndjek mua…”