Me tensione ka nisur e po vijon seanca e sotme plenare. Në fjalën e saj, deputetja Dhurata Çupi u shpreh se sa kohë mazhoranca do të kryejë krimin e vjedhjes, opozita do të jetë aty për të denoncuar rastet, ndërsa ka përsëritur kërkesën që në lidhje me Sterilizimin të dëshmojë edhe kryeministri Edi Rama.
Ajo është shprehur se kryetarja e Kuvendit duhet të japë llogari në lidhje me gjithçka që ka ndodhur në Komisionin hetimor të sterilizimit.
Pjesë nga diskutimi:
Dhurata Çupi: Zoti Gogu, sa kohë ju do vidhni ne do vijmë këtu dhe të denoncojmë. Ju keni vetëm një shije të zhvilluar, të vjedhjes dhe korrupsionit. Sa kohë ju do të keni të zhvilluar shqisën e vjedhjes ne do të kemi të zhvilluar sensin e denoncimit në Kuvend. Në të gjitha raportet ndërkombëtare, Parlamenti konsiderohet si institucioni që kufizon instrumentet kontrolluese të opozitës. Zonja kryetare thirre dëshmitarin Rama të dëshmojë. Kolegët që ju zëvendësohen, ministrat që shkojnë në burg, ju vijnë me pranga, ikin me pranga, dalin e hyjnë në SPAK, nuk mbani përgjegjësi, vetëm rregulloni vendin në listë dhe nuk keni asnjë lloj mëshire për kolegët tuaj që shkojnë në burg, fiks si para 1990 të parët tuaj kur i mbanit, i përdornit dhe i konsideronit tradhtar e armiq.
Ju zonja kryetare duhet të jepni llogari këtu me gjithçka ka ndodhur me komisionin hetimor të shëndetësisë, qoftë për afatet, për sjelljen brutale të dëshmitarëve atje. Ju do të duhet të jepni llogari deputetëve pse kryeministri nuk shkon të dëshmojë në komision? Duhet të jepni llogari këtu si kryetare e pushtetit legjislativ dhe jo të mbroni pushtetin ekzekutiv.
Elisa Spiropali: Po ngatërroni kërkesat apo dëshirat e disa deputetëve me vendimet e komisioneve vendore. Të gjitha instrumentet i keni në dorë dhe t’i përdorni siç është interpelanca, zoti Shehaj është në interpelancë me ministren dhe nuk po lejohet për shkak se po flasim për çështje që nuk kanë lidhje me procedurën.
Toni Gogu: E kërkova fjalën për replikë me kolegen e nderuar Çupi. E dashur Dhurata, nuk e mbaj veten për shenjtor. Nëse do huazojmë një thënie të Shën Palit, mund të jem më i madhi nga të gjithë mëkatarët, prandaj kam nevojë për shpëtimtarë dhe prandaj besoj në zot. Nëse ju e përdorni fjalën vjedhje dhe këtë akuzën ti hajdut, ti vjedh, siç i tha Gazi Flamurit, apo siç i tthatë njëri-tjetrit, kjo është jo vetëm fyerje për kolegët por edhe vepër penale, s’mund të bëhemi prokurorë të njëri-tjetrit. Ndërsa ju drejtoni një gisht, tre gishta ju janë drejtuar ju. Dhe niseni, që të bëheni të besueshëm, në partinë tuaj, luftoni korrupsioni dhe hajdutërinë në partinë tuaj dhe pasi ta fitoni këtë betejë, ejani dhe luftoni me pjesën tjetër të këtij Parlamenti. Keni humbur çdo kauzë politike dhe doni show.
(BalkanWeb)