Ambasadori i ri i Austrisë, Christian Steiner, deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë punuar mirë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Ambasadori Steiner u shpreh, gjatë Festës së Austrisë në Shkodër, se Europa nuk është e plotë pa shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Disa prej jush e dinë se unë kam pasur fatin që të shërbej si ambasador i ri në Shqipërinë e viteve 96-97. Jeta atëherë nuk ka qenë shumë e thjeshtë por tashmë jam i lumtur dhe shoh që shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë në vendin tuaj. Megjithatë që në vitin 1996 më ka impresionuar pozitivisht lidhjet e forta që kanë pasur institucionale, kulturore dhe ekonomike që atëherë Shqipëria me Austrinë.

Jam po ashtu i lumtur duke parë që këto marrëdhënie janë thelluar më tepër dhe jam i lumtur kur shoh suksesin 12-vjeçar të shkollës Peter Maringher, një ndër 8 shkollat e vetme austriake në botë. Dëshiroj të falenderoj drejtuesit e kësaj shkolle, stafin dhe mësuesit e shkëlqyer për faktin që e kanë bërë të njohur kudo.

Kam patur kënaqësinë të vizitoj edhe universitetin e Shkodrës dhe kam biseduar se si mund t’i thellojmë marrëdhëniet mes palëve dhe kjo mund të përfshijë edhe tematika që lidhen me nënshkrimin e marrëveshjeve në të ardhmen. Sa i përket negociatave në BE, ministri i Austrisë ka vizituar Shqipërinë në 17-18 tetor dhe ka shprehur pranimin pa kushte për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Të dy shtetet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë punuar mirë për hapjen e negociatave dhe ne na vjen keq që ky vendim është shtyrë. Ne shpresojmë sinqerisht për një ndryshim pozitiv në të ardhmen. Besojmë shumë se Europa nuk është e plotë kur mungojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në fund dua të përshëndetes austriakët që jetojnë në veriun e Shqipërisë”, tha kryediplomati austriak.

Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, Gjergj Leqejza, është organizatori i Festës së Austrisë në Shkodër, ndërsa u shpreh se ky shtet është një mbështetës i madh i Shqipërisë në rrugën drejt BE.

“Festa e Austrisë me të ftuar nga autoritetet vendore, përfaqësues të klerit, intelektual dhe nga fusha të tjera të kulturës e më gjerë është kthyer në një traditë në qytetin e Shkodrës duke thelluar më shumë marrëdhëniet e mira që Austria ka me një qytet si Shkodra”, u shpreh Konsulli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb