LONDER-Kushtet e punës në fabrikat e Apple në mbarë botën kanë tërhequr sërish vëmendjen e opinionit publik, pasi BBC ka publikuar një video nga fabrika Pegatron në Shangai. Në fund të vitit të kaluar u njoftua se në këtë fabrikë kanë vdekur të paktën 5 punëtorë që punonin në zhvillimin e pajisjeve Apple. Por, kompania amerikane, pas hetimeve të brendshme, publikoi një raport ku thuhet se “nuk ekziston ndonjë dëshmi apo lidhje e vdekjeve me kushtet e punës në Pegatron”.

Fabrikat kineze që prodhojnë pajisje e markës Apple, së pari iu nënshtruan një kontrolli në vitin 2010, kur 14 punëtorë të Foxconn-it kryen vetëvrasje.

Reporteri i BBC-së, i cili ka punuar në fabrikë si pjesë e kërkimeve të tij, publikoi video të re ku shihen punëtorë të rraskapitur, të cilët madje ankohen për kushtet çnjerëzore të punës dhe se një ndërrim zgjaste nga 12 deri në 16 orë pa pushim.

“Edhe kur isha i uritur, nuk kam pasur fuqi të ha. Kërkoja vetëm një vend që flija” – tha një prej gazetarëve që gjithashtu ka punuar në fabrikë.
Reporteri i BBC-së ka hetuar kushtet e punës në fabrikat dhe zinxhirët tjerë furnizues të Apple, një prej të cilëve ishte në ishullin indonezian të Bangka. Sipas reporterit, aty në kushte çnjerëzore punojnë edhe fëmijë të moshës 12-vjeçare.

Pasi videoja u publikua, kompania Apple ka filluar hetimet.

“Asnjë kompani tjetër nuk siguron kushte të mira dhe të ndershme gjatë punës si Apple” – thuhet në deklaratën që Apple dha për BBC-në.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: