Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Ndoshta janë bërë 25 mijë kontrolle të tatimorëve tanë në të gjithë vendin në këto tri javë të para të shtatorit. Me mijëra gjoba, me qindra konfiskime malli. Një shitës pronar i një dyqani ushqimor më tha dje: “Ku kanë qenë deri tani në gjithë këto vite këta kontrollorë?! Mos duhet të kthejnë lekët e rrogës, pse deri sot e kanë marrë kot?!” Si qytetarë e përshëndesim me gjithë zemër këtë “mundim” të tatimorëve, pse më në fund, pas 25 vitesh, po rikthehet, me hir dhe me pahir, autoriteti i shtetit në arkën e përbashkët, në detyrimet ndaj Buxhetit të Shtetit, që duhet të jenë të shenjta. Ndërkohë, nga ana tjetër, kryeministri i vendit bëri shumë mirë që më 12 shtator, në takim me përfaqësues të biznesit, lajmëroi uljen e taksës së pasurisë dhe përjashtimin nga pagesat fiskale të të vetëpunësuarve. Një afat të ri, kryeministri la edhe për biznesin e madh dhe që paguan faturat rregullisht: deri në 1 mars 2016 për ata që nuk përdorin kasë fiskale. Qeveria duhet të dijë të manovrojë me shumë kujdes dhe mirëkuptim në këtë gjendje. Ministri i Financave, po ashtu, veproi drejt pardje kur kërkoi një shtesë në nenin 116 të ligjit “Për procedurat tatimore”, me anë të së cilës, kur tatimpaguesi, me vullnetin e tij deklaron dhe për pasojë korrigjon një deklaratë tatimore të plotësuar qëllimisht gabim, pavarësisht periudhës tatimore së cilës i përket kjo deklaratë, si dhe e paguan menjëherë detyrimin tatimor përkatës, administrata tatimore nuk bën kallëzim penal për të. Me fjalë të tjera, po u pendove për evazionin tënd dhe paguan, nuk merresh me prokurorët. Megjithatë, të gjitha këto nuk mjaftojnë! Qeveria duhet ta kuptojë se po përdor një “kërbaç” fiskal shumë të fortë, ndoshta pikërisht atë të duhurin, për të vendosur autoritetin e shtetit në detyrimet e sipërmarrjes, por të 67 mijë sipërmarrësit aktivë, të mëdhenj, të mesëm e të vegjël, nuk janë armiq. Janë, përkundrazi, aleatë të saj. “Të bësh armik biznesin e vendit tënd, është sikur të sharrosh degën ku ke hipur”, ka thënë Çurçilli. Edhe pse shumica e sipërmarrësve shqiptarë mund ta ketë gëlltitur “një lugë çorbë të prishur”, ose shumë, dhjetëra apo qindra lugë të tilla. Me fjalë të tjera, mund të kenë bërë evazion, shmangie të detyrimeve shtetërore sa të jenë shqepur. Si të thuash, kanë gjetur shesh e kanë bërë përshesh. Por kjo s’do të thotë se, kjo sipërmarrje duhet linçuar, varur në mes të pazarit, mbytur me gjoba e konfiskime. Vetë biznesi ia ka propozuar zgjidhjen qeverisë në këtë periudhë beteje kundër informalitetit. Kjo e fundit, të kërkojë me këmbëngulje inventarin fizik të biznesit, në mijëra kontrollet që bën. Duke pasur atë inventar në dorë, qeveria fut ‘syrin e shtetit’ në transaksionet e biznesit. Dhe kur, pasi ka inventarin, biznesi rezulton me mangësi ose pa pullën fiskale në mallrat e inventarit, qeveria ka plotësisht të drejtë ta gjobisë e deri t’ia konfiskojë mallin. Por me kërkesën për inventarin, qeveria i jep pak kohë biznesit të mos digjet, por të veprojë shpejt për të vënë mallin e vet në përputhje me detyrimet ligjore. Të paktën atij biznesi që e ka seriozisht të jetë korrekt me shtetin. Dhe tani, me hir a me pahir, janë 80 për qind e atyre 67 mijë sipërmarrësve, të mëdhenj, të mesëm e të vegjël shqiptarë, që e mendojnë kësisoj. Qeveria duhet të qëmtojë me shumë kujdes dhe përgjegjësi ankesat e biznesit ndaj kontrolleve dhe rezultateve të tyre. Administrata tatimore të vendosë shumë njerëz që t’u përgjigjen këtyre ankesave dhe t’i trajtojnë me hollësi e shpejt ato që kanë bazë reale. Vetëm kështu mund ta bësh aleat biznesin e vendit në këtë betejë të vështirë për të gjithë, për të bërë shtet aty ku duhet më shumë, në paratë e shtetit për të gjithë ne. Me kontrolle pa zemër e me vrazhdësi, sikur ke kapur në befasi hasmin, nuk ndërton shtet, por shkel të drejtën e sipërmarrësit aty ku si nëpunës i shtetit ke të gjithë moralin, ligjin dhe mundësitë të kërkosh hisen e shtetit. Në Britaninë e madhe të largojnë nga puna si tatimor i mbretërisë, nëse vetëm vërtetohet se je sjellë me vrazhdësi me kontribuuesit e shtetit. Këtu te ne, nuk po kërkojmë ende këtë standard, por të paktën, një “kulaç” dinjitoz për gjithë këtë “kërbaç” të domosdoshëm që po ha shtresa më prodhimtare dhe progresive e vendit: sipërmarrja shqiptare.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: