Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka komentuar në studion e “News 24”, procesin zgjedhor të nisur prej orës 07:00. Gjonaj është shprehur se pjesëmarrja e ulët në votime nuk e shqetëson PS dhe kryeministrin Edi Rama, pasi sipas saj, nuk e vendosi mazhoranca që opozita të mos merrte pjesë në zgjedhje.
“Ka një pjesëmarrje të atillë që ka pasur dhe në 2015. Nuk është absolutisht shqetësim për PS dhe kryeministri. Do ishte mirë të kishim më shumë pjesëmarrje, por këto janë zgjedhje atipike në llojin e tyre, të bojkotuara nga opozita, të kërcënuara deri vonë, si në Shkodër, Vau i Dejës, që e tensionuan procesin, por askush nuk mund t‘i bëjë sfidë ligjit”, ka deklaruar ministrja.
Po dhe opozita thotë se po kërcënohen qytetarët për të votuar…
Në asnjë mënyrë nuk janë kërcënuar qytetarët, mohoj kategorikisht këtë gjë. Çdo qytetar e ka kuptuar vetë, që vota sot është shumë e rëndësishme, pasi ka të bëjë me ndryshimin që duhet të vijë në Shqipëri pasi gati 30 vjet.
Nëse do ketë pjesëmarrje të ulët, a duhet të reflektojë Rama?
Jemi futur në garë si subjekt zgjedhor, pasi Meta dekretoi datën e zgjedhjeve 30 qershorin. Nuk e zgjodhëm që të ishim pa kundërshtar, e zgjodhëm dhe i vuri kushtet opozita. Për sa kohë nuk duan të garojnë kjo është e lirë, e duam apo jo këtë proces. Ne donim të kishim një kundërshtar të fortë, por nuk e vendosëm ne këtë. Ne po respektojmë të gjitha rregullat e procesit. Ndërkombëtarët kanë monitoruar sot procesin, ndërsa më parë u shprehën kundër dhunës.
Dialogu me PD, çfarë do ndodhë?
Kryeministri e ka ftuar vazhdimisht Bashën për të folur, dërgoi letra të hapura. Kjo do të vazhdojë në bazë të asaj që do të vendoset dhe kryeministri do të mendojë. PS ka qenë gjithmonë e hapur për dialog konstruktiv, pa kushte.
Çfarë është e gatshme të dialogojë PS?
T’ia lëmë fjalën zgjedhjeve të 30 qershorit. Pastaj të ndjekim ngjarjet e tjera me radhë.
Përgjimet e “Bild”, ndërkombëtarët kërkojnë hetime serioze …
Edhe ne jemi të hapur që proceset hetimore të jenë të paanshme, të shpejta. Nuk është Prokuroria që ndikohet nga PS, ndaj dhe në këtë pavarësi që ka, do të kryejë një proces të drejtë, por duhet të hetojë më shpejt.
A do ketë reflektim nga PS për përgjimet?
Këto janë disa indicie që i mbetet Prokurorisë të hetojë, PS pastaj do vendosë në bazë të hetimeve.
Gjykata Kushtetuese kur ngrihet, çfarë do shqyrtojë?
Është në proces, KED po kryen një proces të jashtëzakonshëm rreth kandidatëve të Kushtetuese. Ata do e përfundojnë këtë proces sa më shpejt, në mënyrë që në shtator apo tetor Gjykata Kushtetuese të nisë funksionimin.
Vëzhguesit ndërkombëtarë do shprehen nesër, çfarë prisni?
Më vjen mirë që ata e kanë ndjekur procesin zgjedhor, jam e bindur se ashtu siç e kanë pasur raport të nxjerrin raportin një ditë pas zgjedhjeve, edhe nesër do kemi rezultate pozitive nga raporti i OSBE.
Meta nuk është shprehur sot, si e shihni pozicionin e tij?
Mund të flas për pozicionin tim, që e shoh si një ditë që më jepet vetëm një herë në dy vjet për ta pasur, ku duhet të ushtrojë detyrat e mia si qytetare.
(BalkanWeb)</strong