TIRANË- Kreu i PD Lulzim Basha merret në mbrojtje të posaçme fizike gjatë gjithë orëve të ditës e natës nga 4 efektivë të Njësisë GOS. Pak orë pasi deputetja e Partisë Demokratike Voltana Ademi depozitoi në prokurorinë e Krimeve të Rënda, kallëzimin penal ndaj Emiljano Shullazit, duke pretenduar se nëpërmjet saj ai kërcënoi kreun e PD-së Lulzim Basha, prokuroria bën të ditur se ka kërkuar nga Komisioni për mbrojtje të posaçme, të vlerësojë nëse është rasti që dy zyrtarët e opozitës të merren nën mbrojtje.

Komisioni që drejtohet nga zv.ministri i Brendshëm dhe në përbërje ka gjykatës e prokurorë, pasi verifikoi rastin në fjalë, vendosi të marrë në mbrojtje të posaçme, kreun e opozitës Lulzim Basha dhe deputeten e PD Voltana Ademi, duke kërkuar nga Ministria e Brendshme shtimin e masave të sigurisë.

Ndërkohë edhe pse pranohet se masat e sigurisë janë shtuar, Ministria e Brendshme bën të ditur zyrtarisht se nga Prokuroria nuk ka ardhur asnjë kërkesë për shtimin e masave të sigurisë për kreun demokrat. Sipas ministrisë, shefi i grupit të shoqërimit të kreut të PD, i ka drejtuar Gardës së Republikës një kërkesë për masa shtesë, e cila shtoi në grupin e sigurisë fizike për Lulzim Bashën, jo 4 por një efektiv të Gardës.

Mirëpo pas kësaj deklarate erdhi menjëherë edhe reagimi i PD, e cila përgënjeshtroi ministrinë e Brendshme. PD deklaroi se stafi i sigurisë së kreu të PD Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë kërkesë për masa shtesë për sigurinë e tij fizike. Sipas deklaratës së PD, shtimi i sigurisë fizike të Bashës nuk është bërë me kërkesë të PD dhe pretendimet e ministrisë së Brendshme janë të pavërteta.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: