TIRANË- Deputeti socialist, Taulant Balla ka reaguar pas kërcënimit të gazetarit të Neës24 dhe Gazeta Shqiptare, Mirsad Rakaj nga ana e ish-kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. Në një status në faqen e tij të Facebook, Balla shkruan se nëse investigimi i gazetarit do të shkonte në fund do të nxirrte në dritë babëzitë me pronat në Shkodër, ku sipas tij Topalli ka marrë shumë troje që nuk i takojnë.

Balla shprehet se kërcënimi i gazetarit nga një politikan është shumë i rëndë, aq më tepër nga një grua politikane që është edhe nënë.

Më tej deputeti i PS-së inkurajon gazetarin Rakaj të vazhdojë punën e tij pasi siç thotë ai, çfarë bën gazetaria në Shqipëri, ende nuk e bën drejtësia.

STATUSI I PLOTË I TAULANT BALLËS

Çfarë ke Jozefinë? Pse e kërcënon gazetarin Mirsad Rakaj?

Sot është bërë publike një ngjarje e turpshme për lirinë e medias në Shqipëri. Një gazetar është kërcënuar nga deputetja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli për shkak të një lajmi investigues që ky gazetar profesionist ka raportuar dhe ndjekur prej kohësh. Shkurtimisht bëhet fjalë për një investigim që nëse do të shkojë në fund do të nxjerrë në dritë të diellit babëzite me pronat në Shkodër, ku latifondistja kërcënuese ka marrë shumë dhe shumë troje që nuk i takojnë.

Megjithatë nuk është ky fokusi sot. Shqetësimi është se si një politikan kërcënon një gazetar. Më e rëndë bëhet situata kur politikani është një grua, madje dhe nënë, nuk di nëse është gjyshe, e cila kërcënon një djalë të ri në punë të vet se do ta zgjidhë me të personalisht. Pra që do t’ia mbyllë gojën personalisht, apo si? Apo do ta kapë për zhelesh?

Ajo që më shqetëson është se ende nuk ka asnjë shoqatë gazetarësh që të reagojë në mbrojtje të Mirsadit.

Më vjen keq që as grupimi i grave deputete nuk reagon. Apo meqenëse Jozefina Topalli nuk bën pjesë në këtë shoqatë të grave deputete, nuk e di pse, nuk do të reagojnë për këtë çështje.

Sa për partinë e kësaj zonje deputete që kërcënon gazetarët, mos prisni të reagojë. Kjo deputete “e fortë” mund të kërcënojë ose e ka bërë një gjë të tille edhe me kryetarin de facto të PD. Po Kryetari de jure i PD shok banke me kërcënuesen a do reagojë? As ky jo. Arsyet dihen…

I dashur Mirsad, ti vazhdo punën tënde të gazetarit. Opinioni publik është me ty. Sepse jozefin-zheleria është një fenomen i keq në shoqërinë tonë, i cili po zhduket pak nga pak.

Edhe mua më kërcënoi dikur se do më kapte për zhelesh, por ti Mirsad e di ç’thotë populli në këto raste.

Vazhdo Mirsad investigo dhe raporto. Çfarë bën gazetaria në Shqipëri, ende nuk e bën drejtësia. Por edhe për pak kohë. Reforma në drejtësi po vjen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: