TIRANE– Në mbyllje të fushatës zgjedhore në institucionet e arsimit të lartë ka folur dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Nëpërmjet një deklarate publike, kërcënimin e kandidatit për rektor Mynyr Koni ajo e ka konsideruar si situatë të kapërcyer falë gatishmërisë dhe profesionalizmit të institucioneve të shtetit. Po ashtu, Nikolla e përgëzon deklaratën e rektoratit të Universitetit të Tiranës të nënshkruar nga disa profesorë të spikatur.

“Dëshiroj të përshëndes sot deklaratën e rektoratit të Universitetit të Tiranës, të nënshkruar nga disa prej profesorëve më të spikatur të sistemit universitar në Shqipëri. Bashkohem me thirrjen e profesorëve për vijimin e garës të hapur, transparente dhe të ndershme, për drejtuesit e ardhshëm të universiteteve në mbarë vendin. Në garën për të zgjedhur drejtuesit e departamenteve, dekanët, senatorët dhe rektorët, sfida e vetme janë shkalla akademike dhe platformat për cilësi në arsimin tonë të lartë. Kjo është një garë pa ndërhyrje nga qeveria apo politika. E tillë ka qenë gara deri dy ditë më parë kur, fatkeqësisht, ndeshëm një problem të vështirë e totalisht të pakëndshëm, i cili, për fat të mirë, u kapërcye menjëherë falë gatishmërisë dhe profesionalizmit të institucioneve të shtetit”, thuhet në deklaratën e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Në përfundim të deklaratës së saj ajo u ka bërë thirrje partive politike të rrinë larg këtyre zgjedhjeve; po ashtu u ka kërkuar stafeve akademike dhe studentëve që ta mbyllin këtë garë si proces zgjedhor model.

“U bëj thirrje edhe partive politike, sidomos disa politikanëve që tregojnë padurim për ta përdorur politikisht çdo gjë, që të qëndrojnë larg zgjedhjeve në universitete. Universiteti është një hapësirë autonome ku politika nuk ka vend. Universiteti është një institucion që përgatit brezat e rinj, gjeneratën tjetër. Të nderuar pedagogë e studentë, ju bëj thirrje ta përmbyllim garën si një proces zgjedhor model ku fitojnë më të mirët”, përfundon deklarata e Nikollës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: