TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi është takuar sot me urgjencë me kryeprokurorin Adriatik Llalla në lidhje me akuzat e ngritura nga selia blu, se kryeopozitari Basha ka marrë kërcënime nga Emiljano Shullazi, një figurë e njohur e botës së krimit, i cili mbeti i plagosur edhe në atentatin e fundit në kryeqytet. Lajmi për temën e takimit konfirmohet nga burime të News 24.

Mësohet se Didi pas takimit me Llallën ka takuar edhe Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ardian Çipa. Ende nuk dihen më tej detaje të këtij takimi.

MESAZHI KËRCËNUES PËR BASHËN NË TELEFONIN E DEPUTETES SË PD
Ndërsa në lidhje me kërcënimin mësohet se mesazhi ka ardhur në celularin e deputetes së PD-së në Qarkun e Shkodrës, Voltana Ademi. Kjo e fundit ka depozituar edhe një kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në kallëzimin e saj deputetja shprehet, “Kam marrë sms kërcënuese për Bashën”. Dosja në fjalë i është deleguar policisë, ndëra mësohet se kërcënimi ka ardhur nga Emiliano Shullazi.

BERAT, RISTANI: RAMA ËSHTË PJESË E BANDAVE KRIMINALE
Ndërkaq po sot, deputeti Ristani ka akuzuar sërish kryeministrin Rama për situatën e krijuar.

Sipas tij, “Rama është pjesë e bandave kriminale. Me mbështetjen e tij bandat po lulëzojnë. Rendi dhe siguria në vend më e rrezikuar se kurrë. Bandat kanë arritur deri aty sa kërcënojnë opozitën”.

Ristani thotë ndër të tjera se nëse Rama duhet të marrë masa për situatën.

REPLIKAT
Kujtojmë se deklarata për kërcënimin e kryeopozitarit ka ardhur sot nga selia blu. Ka qënë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani, ai që në një konferencë për shtyp tha se Basha është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, ndërsa bëri përgjegjës kryeministrin Raama, pasi sipas tij, Shullazi ka përfituar nga lehtësirat qeveritare.

Në një reagim të sajin polica e Shtetit tha se nuk ka dijeni për një kërcënim të tillë, por se do të marrë të gjitha masat për të sqaruar këtë ngjarje. Me sa duket edhe ky takim mes krerëve të policisë e prokurorisë vjen për të sqaruar këtë ngjarje.

Ndërkaq, zyra për shtyp e Kryeministrisë i quan shpifje këto deklarata, ndërsa nëpërmjet një reagimi theksojnë se do të padisin deputetin Arben Ristani.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: