LIBRAZHD- Dy gazetarë nga Librazhdi kanë denoncuar se kanë marrë kërcënime me jetë nga persona ende të paidentifikuar.

Bëhet fjalë për Agim Blloshmin dhe kolegun e tij, Kristaq Binjaku. Sipas dëshmisë së gazetarit Blloshmi, mësohet se ai është fshehur në pyll momentalisht dhe se ka marrë kërcënime nga kontrabandistë të druve. Sakaq, nuk dihet ende vendndodhja e gazetarit tjetër, Binjaku.

Bëhet e ditur se me gazetarët në fshatrat e komunës Stravaj ka qenë i pranishëm dhe Ahmet Mehmeti, kryetar i klubit Ekologjik. Ndërkohë, sipas mediave ku punojnë aktualisht Blloshmi dhe Binjaku, pohohet se ata janë marrë peng.

Nga ana tjetër, policia ka deklaruar se situata ngelet e paqartë, ndërsa theksuan se janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Policia: Personat po ktheheshin nga një drekë kur janë sulmuar, nuk janë lënduar
Policia ka dhënë detaje për ngjarjen. Sipas policisë, gazetari Kristaq Binjaku dhe inxhinierët Ahmet Mehmeti dhe Petrit Kuka nuk kanë pësuar asnjë lloj dëmtimi. Gazetari Agim Blloshmi ka komunikuar me policinë në një zonë në pyll pranë fshatit Stravaj, ndërsa pretendon se është kërcënuar.

Sipas policisë të katër personat kishin qenë për drekë në banesën e Petrit Kukes dhe po ktheheshin me një fuoristradë me targa AA 879 AD. Gazetarët dhe inxhinierët pretendojnë se janë qëlluar me gurë nga një grup i panjohur personash dhe për pasojë është thyer xhami i parë i makinës. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(d.d/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: