TIRANE – Lavdrim Tufa u arrestua sot pasi akuzohet se ka kërcënuar një administrator të një firme në Tiranë, duke i kërkuar atij 90 mijë euro.

I njohur si vrasësi i “Mirit të Xhikes” 15 vite më parë, 37-vjeçari duket se është kthyer sërish në vëmendje të autoriteteve.

Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë me dije se Tufa i ka kërkuar shumën prej 90 mije eurosh duke e kanosur administratorin e një firme private, me pretendimin se ky i fundit kishte detyrime ndaj shtetasit italian P. E., 50 vjeç.

Kush është Lavderim Tufa

Lavdërim Tufa u dënua me 20 vjet burg për vrasjen e Fatmir Ramës të njohur ndryshe si ‘Miri i Xhikes’ në mars të 2003 në zonën e Lundrës,

I arrestuar në vitin 2004 Tufa kaloi një proces të gjatë gjyqësor, duke arritur deri në vendimin e datës 13.02.2013, të Gjykatës së Apelit Tirane, i cili la në fuqi Vendimin nr. 1723, date 30.11.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane me 20 vjet burgim me vendim të formës së prerë.

Gjykata e Lartë, në shkurt të vitit 2009, prishi vendimin dhe e delegoi çështjen sërish në Apelin e Krimeve të Rënda. Apeli i Krimeve të Rënda në muajin maj 2009 vendosi të prishë vendimin e burgut të përjetshëm dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Prokuroria i bëri rekurs këtij vendimi, por Gjykata e Lartë në shtator 2009 vendosi të mos e pranojë kërkesën. Më pas, çështja kaloi në Gjykatën e Tiranës, e cila kreu një hetim të ri gjyqësor.

Tufa u deklarua fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese në dëm të shtetasve Fatmir Rama, Julian Durishti, Kristaq Cani dhe plagosjen e Fatmir Rrapajt.

Nga dinamika e vuajtjes së dënimit rezulton se, deri më datë 21.01.2015, (data e përpilimit të dinamikës së vuajtjes së dënimit për këtë të dënuar) i dënuari Lavdërim Tufa Tufa ka vuajtur gjithsej 18 (tetëmbëdhjetë) vjet, 1 (një) muaj e 15 (pesëmbëdhjetë) ditë burgim. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, Gjykata ka pranuar kërkesën e të dënuarit Lavdrim Tufa për ulje dënimi, duke i ulur 1 (një) vit e 9 (nëntë) muaj nga dënimi i mbetur. Gjithashtu, i dënuari ka përfituar zbritje të kohës së dënimit me burgim në masën 2 (dy) muaj e 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, për shkak të punësimit të tij, gjatë kohës së qëndrimit në burg.

Nga dinamika e dënimit konstatohet se i dënuari ka fituar 1(një) vit ulje dënimi me anë të Ligjit “Për amnistinë” Nr. 22/2014. Deri më datë 21.01.2015 të dënuarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1(një) vit 10 (dhjetë) muaj e 15 (pesëmbëdhjetë) ditë burgim. Për pasojë, deri më sot datë 26.03.2015 të dënuarit Lavdërim Tufa i mbeten pa vuajtur edhe 1 (nje) vit, 8 (tetë) muaj e 10 (dhjetë) ditë burgim.

“Në bazë të nenit 64 të K.Penal, i dënuari Lavdërim Tufa që është dënuar me 20 vjet burgim me vendim të formës së prerë, duhet të ketë vuajtur efektivisht 15 vjet burgim, pa llogaritur një vit që ka përfituar me amnistinë e dhënë me ligjin nr. 22/2014, që të plotësojë kohen 3/4 për te pretenduar per lirim para kohe me kusht,gje qe dokumentohet se e ka plotësuar, pasi ka shlyer deri ditën e sotme 18 vjet e 3 muaj e 20 dite burgim, i mbeten për të vuajtur edhe 1 vit,8 muaj e 10 dite burgim,sipas dinamikes se paraqitur nga IEVP Vaqarr Tirane me 21.01.2015 dhe ky është kushti themelor për të shqyrtuar kërkesën per lirim para kohe me kusht” thuhet në vendimin e gjyqtares Enkelejdi Hajro publikuar më 26 mars 2015.

Në vendim gjykate thuhet se i dënuari në burgun e Vaqarrit ka pasur sjellje të mirë duke përfituar dhe disa herë leje shpërblyese nga IEVP, për të shkuar pranë familjes,

Në fund Gjykata pranon pezullimin e pjesës së mbetur pa vuajtur të dënimit prej 1 vit e 8 muaj e 10 ditë burgim, për një kohë provë prej 4 (katër) vjetësh, me kusht qe gjatë kësaj kohe i dënuari mos të kryejë vepër tjetër penale.

Për këtë pezullim dënimi dhe lirimi me kusht ishte dakord edhe prokuroria.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb