TIRANË- Avokati Bashkim Hoxha, i cili u arrestua pasi kërcënoi kryeministrin Edi Rama me telefon i ka kërkuar ndjesë kreut të qeverisë për shqetësimin. Në seancën në ngarkim të tij, që u mbajt me dyer të mbyllura ai ka pranuar dërgimin e mesazheve, por ka deklaruar se ka qenë në gjendje të dehur kur i ka nisur.

“Ndjesë kryeministrit, ndjesë për shqetësimin që i kam krijuar. I kam dërguar sms për ndeshjen e Beogradit dhe vizitën në Preshevë. E pranoj që kam gabuar, por nuk kam dashur ta kërcënoj. Por prokuroria ka gabuar duke me arrestuar sepse unë nuk kam bërë vepër penale. Është kundravajtje që parashikon gjobë dhe jo arrestim”, u shpreh avokati Hoxha në seancën kundrejt tij.

Ndërkohë Gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj avokatit, i cili akuzohet për kanosje dhe përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike.

Kërcënimi i Kryeministrit nga ana e avokatit ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit të datës 29 nëntor 2014. Pas mesazhit të parë ku avokati e ka krahasuar Ramën me Ismail Qemalin e Isa Boletinin, kryeministri e ka telefonuar dërguesin e mesazhit dhe biseda mes tyre është acaruar fillimisht për shkak të orarit në të cilin mesazhi i parë ka mbërritur në celularin e kreut të qeverisë. Ndërsa Rama ka mbyllur telefonatën, më pas avokati ka dërguar shtatë mesazhe të tjera kërcënuese dhe fyese për kryeministrin dhe familjen e tij.

Kreu i qeverisë ka njoftuar Ministrin e Brendshëm i cili ka përcjellë çështjen në polici për hetime. Pasi është bërë lokalizimi i avokatit ai është vendosur në pranga në banesën e tij. Ai ka pretenduar se ka qenë i dehur dhe nuk mban mend detajet e komunikimit me Ramën, por pretendon se gjatë telefonatës, Kryeministri e ka fyer. Nga hetimi, por edhe dëshmia e avokatit nuk ka deri tani ndonjë arsye apo motiv të veçantë për kërcënimet në adresë të kryeministrit.

Më herët, Policia e Tiranës arrestoi avokatin Bashkim Hoxha, pasi për disa ditë me radhë ka kërcënuar në telefon kryeministrin Edi Rama, duke i dërguar edhe SMS fyese. Policia zyrtarisht bën me dije se arrestimi i tij është bërë të shtunën, ditën e festes se Clirimit. “Më datë 29.11.2014, ora 23.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bashkim Hoxha, 58 vjec, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë sepse ky shtetes ka dërguar sms kërcenuese për shtetasin me iniciale E.R”- njofton policia ne komunikatën e saj të sotme.
Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua telefoni celular i markës “Samsung”.

Avokati i arrestuar për kërcënimin e Kryeministrit Edi Rama rezulton i dënuar në vitin 2010 me një gjobë 34 mijë lekë për shkelje të vendimit të gjykatës. Sipas akuzës, avokati Hoxha kishte thyer një urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata për gruan e tij.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb