Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka.

Në këtë seancë, prokurori i shtetit Rexhep Maqedonci ka paraqitur kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë me anë të së cilës kërkohet që deputetit Milaim Zeka, t’i caktohet paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Maqedonci ka thënë se me kanosjen që i dyshuari Zeka i ka bërë prokurorit Afrim Shefkiu, te ky i fundit ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe të ankthit.

Arrestimi i Zekës u bë për shkak të deklaratës që deputeti e dha në T7 për prokurorin special, Afrim Shefkiu, duke thënë se do ta ndjekë atë me gjyq, kanun e privatisht.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tem me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Këqyre ky hajni i vizave”, ka thënë Zeka në emisionin DPT te Fidani në T7.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb