TIRANE – Aleatët e Partisë Socialiste të koalicionit fitues në zgjedhjet e 2013 pritet të krijojnë një grupim të ri parazgjedhor. Mungesa e negociatave dhe konsultimeve me ta nga ana e drejtuesve të Partisë Socialiste, duket se po i detyron ata që të riorganizohen në një pol të veçantë elektoral. Socialdemokratët, Demokracia Sociale, por, dhe disa parti të ekstremit të majtë do të përcaktojnë kandidatët e tyre në të 61 bashkitë e vendit, duke garuar përballë kandidatëve të Partisë Socialiste apo Lëvizjes Socialiste pë Integrim dhe Partisë Demokratike.
I kontaktuar në telefon, Paskal Milo tha për gazetën “Panorama” se partia që ai drejton nuk është kontaktuar nga drejtuesit e PS në lidhje me bashkëpunimin zgjedhore për lokalet e 21 qershorit dhe pse, mësojmë se nuk kanë munguar negociatat me partitë e tjera të koalicionit tonë dhe jashtë tij.
“Ne, potencialin tonë elektoral, nuk do ta shkrijmë për kandidatët e PS apo LSI si detyrim. Nëse do të vijojë ky qëndrim, atëherë ne bashkë me disa parti të tjera, do të ndërmarrim hapa konkrete drejt një grupimi që do të dalë me kandidatët e tij në këto zgjedhje”, u shpreh Milo për “Panorama”.
Këtij poli të ri në politikën shqiptare, pritet t’i bashkohet edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Me shumë gjasa, socialistët do të përfshijnë në koalicionin e tyre Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit, gjë që nuk mund të pranohet nga PBDNJ, e cila, sipas parimit të ndarjes së hartës territoriale, ka dy bashki të pastra minoritare, Dropullin dhe Finiqin, ndërsa ka nisur përgatitjet që të dalë me kandidatin e saj dhe të Omonias dhe në Bashkinë e Himarës.
Mësohet se gjatë negociatave mes Kryeministrit Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Meta, është rënë dakord që t’i japin mundësi partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet që drejtohet nga Shpëtim Idrizi të ketë kandidatin e saj në dy bashki, atë të Konispolit dhe të Rrogozhinës.
Ende nuk dihen detaje nga kjo marrëveshje, pasi PDIU as e pohon, dhe as e mohon një gjë të tillë, por mësohet se këto bashki nuk kanë qenë në preferencat e LSI për t’u drejtuar nga kandidatët e saj. Ajo që është e sigurt nga këto negociata është fakti se Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë kandidatin e saj në 14 bashki, në Bashkinë e Beratit, Lezhës, Kukësit, Pogradecit, Skraparit, Patosit, Memaliajt, Krujës, Cërrikut, Pukës, Bulqizës, Selenicës, Vorës dhe Përrenjasit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: