Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka paralajmëruar sot hapat konkretë për formimin e një Gjykate Ndërkombëtare e cila do të ndëshkojë krimet e Serbisë në Kosovë.

Në një konferencë për media, kryeparlamentari Veseli tha se tashmë ka nisur konsultat dhe procedurat të cilat shumë shpejt do të rezultojnë me hapa konkret drejt formimit të GJykatës Ndërkombëtare për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Unë kam marrë iniciativën për të filluar procesin i cili do të rezultojë me krijimin e një Gjykata Ndërkombëtare për masakrat e kryera nga Serbia në Kosovës në vitet 1998-1999. Kjo gjykatë është e mundur dhe e domosdoshme dhe do të ndodhë. Shteti i Kosovës ka për obligim që të marrë të gjitha veprimet, për ta bërë atë të pashmangshme. Rruga e pajtimit historik dhe e paqes së përhershme në mes Kosovës dhe Serbisë kalon vetëm përmes drejtësisë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai ka thënë se 186 masakra të kryera nga Serbia në Kosovë kërkojnë drejtësi dhe heshtja ndaj dëshmive dhe dëshmitarëve është falje e heshtur për kriminelët. Ai tha se kjo nuk ndodh dhe nuk do të lejohet të ndodhë, ndërsa porositi të gjithë kriminelët serbë që fshihen në Serbi se do të zihen e do të gjykohen për krimet që kanë kryer në Kosovë.

“Mesazhi për të gjithë kriminelët në Serbi është i qartë. Kemi me ju zënë të gjithëve. Do të përgjigjeni për atë që ju keni bërë njerëzve tanë në Kosovë, që nga fëmijët deri tek pleqtë të cilët kanë qenë të pafajshëm, e ju nuk keni qenë të zot me u ballafaqu me ne – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit tha se institucionet e Republikës së Kosovës e kanë obligim të mbrojnë jo vetëm lirinë, shtetin dhe jetën e qytetarëve, por edhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.

“Krimet dhe masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë janë të përmasave të gjenocidit. Ne kemi besuar se drejtësia ndërkombëtare do ta thotë fjalën e saj në dënimin e këtyre krimeve. Fatkeqësisht kanë kaluar dy dekada dhe pak ose aspak nuk është bërë në këtë drejtim. Tribunali i Hagës i ka lënë në gjysmë proceset gjyqësore kundër krerëve të regjimit të Milosheviqit. Për aq sa edhe drejtësia ndërkombëtare në Kosovë nuk e ka kryer punën e saj. Ndërkaq, Serbia është munduar ta mbyllë këtë punë duke organizuar gjykime të rrejshme të oficerëve të saj që kanë marrë pjesë në masakrat e kryera në Kosovë. Kjo është e papranueshme”, tha Veseli.

Ai shtoi se ndonëse Serbia u largua nga Kosova në vitin 1999, përpjekjet e saj sistematike për ta penguar shtetndërtimin dhe të ardhmen e Kosovës, kanë vazhduar dhe ende vazhdojnë.

Këto përpjekje, shtoi Veseli, janë përpjekje për të ndryshuar edhe të vërtetën mbi të kaluarën e Kosovës, të vërtetën mbi gjenocidin e ushtruar nga shteti serb. Ai tha se nuk mund të ketë një pajtim pa sjelljen në vend të drejtësisë për krimet e luftës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb