TIRANË- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka folur në lidhje me deklaratat e Presidentit turk Erdogan për mbylljen e shkollave të kundërshtarit të tij, Gulen. Meta i ka quajtur raportet me Turqinë, historike dhe sipas tij duhet të ndahen prioritetet e bashkëpunimit. Ai theksoi se përgjigjen adekuate për kërkesën e Erdogan e dha Ministrja e Arsimit.

“Raportet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë historike dhe janë me shumë të ardhme. Në këtë drejtim unë besoj se duhen ndarë ato që janë prioritete të përbashkëta të bashkëpunimit, të cilat ne i mbështesim dhe i inkurajojmë edhe në vijim të traditës së shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve me qëndrime të caktuara, të cilat në fakt nuk kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me marrëdhëniet mjaft solide midis dy vendeve. Ndërsa për çështjen në fjalë besoj se përgjigja e Ministres së Arsimit është përgjigja më adekuate”,tha kreu i Kuvendit, i cili është ndalur edhe tek situata në Maqedoni.

Meta tha se partitë shqiptarë në Maqedoni duhet të forcojnë konsensusin në funksion të të drejtave të shqiptarëve.

“Shqipëria ka qenë dhe mbetet një nga vendet më të përkushtuara dhe më të sinqerta për të mbështetur stabilitetin e Maqedonisë dhe gjithë procesin e saj të integrimit euro-atlantik. Dhe Shqipëria shpeshherë e ka dëshmuar këtë në mënyrë konkrete dhe në mënyrë të vazhdueshme. Njëkohësisht shqiptarët në Maqedoni kanë bërë gjithnjë përpjekjet e tyre në këtë drejtim dhe mesazhi ynë për të gjitha forcat politike shqiptare në Pogradec, por edhe në vijimësi, është që përmes një procesi të vazhdueshëm bashkëpunimi dhe konsultimi midis tyre të potencojnë më tej rolin e tyre si faktor stabilizues, demokratizues dhe europianizues të Maqedonisë”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Ai shtoi se “përmes këtij procesi politik shqiptarët në Maqedoni mund të kenë të drejta krejtësisht të barabarta me gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë, sepse kjo e bën Maqedoninë një vend më evropian dhe më demokratik, por kjo e bën edhe një vend shumë më të sigurt dhe shumë më të stabilizuar”.

“Në këtë drejtim ne e shpresojmë dhe inkurajojmë të gjitha forcat politike shqiptare pavarësisht nga dallimet e ngushta partiake apo politike që ato kanë që të vijojnë bashkëpunimin e tyre”, u shpreh Meta.

Kreu i Kuvendit përshëndeti edhe takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit që sipas tij dëshmoi për progresin e arritur nga vendi në drejtim të reformave.

“Dëshiroj të përshëndes zhvillimin mjaft të suksesshëm të Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dje që dëshmoi për progresin e arritur nga vendi ynë në drejtim të mjaft reformave kyçe për procesin e integrimit evropian gjë që gjen vlerësimin dhe inkurajimin e këtij këshilli dhe që na obligon për të vazhduar në këtë drejtim të sigurt duke demonstruar progres të vazhdueshëm dhe të prekshëm në mënyrë që në momentin më të përshtatshëm vendi të marrë edhe rekomandimin për hapjen e negociatave”, tha Meta.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: