TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me qytetarët e kryeqytetit foli për veprimin e Holandës, e cila i dorëzoi sot Komisionit Europian kërkesën për kthimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Ai e cilësoi veprimin e Holandës si një lajm i trishtë për të gjithë qytetarët duke bërë përgjegjëse të drejtpërdrejtë qeverisjen e kryeministrit, Edi Rama.

Kryedemokrati Basha u ndal edhe tek programi ekonomik i PD-së, ku tha se pronarët e vegjël nuk do ta kenë më mallkim punën e tyre, por bekim falë platformës, e cila  sipas tij, në qendër ka fuqizimin e tyre ekonomik.

“Efektet duken qartë dhe Tirana lëngon me përjashtim të tre kantiereve ku ndërtohen kullat e pastrimet e parave, bizneset mbyllen dhe kostot e jetesës janë bërë  të papërballueshme. Sot kemi një lajm të hidhur. Komisionit Evropian i është drejtuar kërkesa e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta për të rivendosur vizat.

Ky është turpi, ky është krimi i Edi Ramës dhe bandës së tij të babëzitur. Kjo është beteja jonë për ta çuar deri në fund. Kjo është një betejë ndryshimi për të gjithë njerëzit. Të gjithë bizneset mirëpresin platformën tonë. Një platformë solide. Biznesi i vogël nuk do të jetë më për mallkim për ta.  Kërkesa e qytetarëve është se kur do ta hidhni dhe kur do ta rrëzoni. Tani nuk kam pasur mundësi që t’ju pyes më parë, por po ju pyes tani. Kur do ta rrëzoni. Kur do ta hidhni?”, tha Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb