TIRANE

Axhenda e delegacionit të Komisionit të Venecias ka qenë tejet e ngjeshur, pas turit të takimeve që nisën që dje në Tiranë, ku në fokus ngelet zgjidhja e ngërçit politik. Edhe sot, delegacioni i “Venecias” zhvilloi një takim një takim me Komisionin Hetimor për më shumë se 60 minuta, për vërtetimin e ligjshmërisë së presidentit Ilir Meta mbi vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në një lidhje direkte për ‘News24’ gazetari Ergys Gjencaj deklaroi se takimet me përfaqësues politikë dhe jo vetëm, është faza e parë për ‘Venecian’ për mbledhjen e informacioneve rreth kërkesës së maxhorancës për shkarkimin e Metës.

“Me këtë vizitë Komisioni i Venecias përmbyll fazën paraprakë, të misionit ‘fakte mbledhës’, ku do të merren në konsideratë të gjitha informacione e marra në këto takime. Më pas do të ketë një fazë tjetër, për të verifikuar nëse ka pasur të drejtë Meta që të anulojë datën e zgjedhjeve. Pritet që Komisioni i Venecias të ketë një sesion plenar në 12 tetor ku do të publikohet edhe raporti i saj. Mendimi i ‘Venecias’ është shumë i rëndësishëm.

Por nëse do të kemi një votim në Kuvend me 94 vota pro për shkarkimin e Metës, ky nuk është hapi i fundit. Pasi pjesa fundore e gjithë procesit është Gjykata Kushtetuese. Nëse parlamenti do të ketë një vendim për shkarkimin e Metës në mesin e tetorit, Gjykata Kushtetuese është akoma jofunksionale. Ndaj do na duhet të presim edhe disa muaj, nga dhënia e vendimit”, raportoi Gjençaj.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb