TIRANE

Teksa studentët e universiteteve publike neë vend protestojnë para Kuvendit, vjen një reagim nga presidenti Ilir Meta.

Duke marrë shkasë edhe nga kërkesat e studentëve, kreu i shtetit ka kthyer ligjin për buxhetin e 2019 serish në Kuvend. Kjo lëvizje e Metës vjen si një mundësi për plotësimit të kërkesave që kanë studentët e që lidhen direkt me buxhetin adresuar për ta.

“Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”, thuhet në njoftimin e presidentit.

NJOFTIMI
Presidenti i Republikës Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij.

Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb