Në podcastin ‘EduVision” në News24 është diskutuar mbi kërkimin shkencor.

Profesor Geron Kamberi, drejtues i zyrës për kërkimin shkencor në Universitetin Luarasi, tha se kërkimi shkencor duhet të ndjekë disa prioritete.Sipas tij,  Ka shumë rëndësi që të ecet me prioritetet kombëtare, por edhe ato të BE-së.  Në këtë kuadër, referuar edhe hapjes së negociatave me BE-në, Kamberi tha se Shqipëria ka një mundësi shumë  të mirë që të shohë se ku po ecën kërkimi shkencor, si po ecën, të rriten fondet e investimeve, në mënyrë që ketë një zhvillim të kërkimit shkencor.

Kamberi tha se ndërkombëtarëzimi është një tjetër aspekt që kërkimi shkencor të marrë hov dhe shtysë, duke përmendur këtu bashkëpunimin në nivel Universitar, që ndihmon jo vetëm mësimdhënien, por edhe kërkimin shkencor.

“Zyra për kërkimin shkencor ka për qëllim koordinimin e të gjithë procesit të kërkimit shkencor që zhvillohet brenda 4 fakulteve në Universitetin Luarasi.

Në mënyrë të veçantë kjo zyrë ka për qëllim dy elementë të rëndësishëm: koordinimin e procesit të hartimit të strategjisë të kërkimit shkencor në nivel Universiteti  dhe nga ana tjetër koordinimin e të gjithë aspektit që lidhet me hartimin e projekteve të kërkimit shkencor qoftë kur vijnë me fonde të shtetit shqiptar, apo instrumenteve të tjera të financimit, apo nga financime që vijnë nga programet kuadër të BE-së”, tha Kamberi.

Ai u shpreh zyra e kërkimit shkencor është në funksion të rritjes së cilësisë së vetë Universitetit. “Një universitet pa kërkimin shkencor ka diçka shumë të mangët”, tha Kamberi.

Sipas tij, një nga elementët e rëndësishëm është pjesa e informacionit, në mënyrë që secili staf, që është i angazhuar në procesin e mësimdhënien akademike në Universitetin Luarasi të jetë në dijeni të çdo zhvillimi lidhur me kërkimin shkencor.

Kamberi u shpreh se BE e ka kërkimin shkencor, që nga momenti i krijimit, një element shumë të rëndësishëm.

Ai tha se BE ka bërë të mundur që të ofrojë një instrument, një ndihmë shtesë, të konsiderueshme, që shkencën që zhvillohet në këtë hapësirë, të mbajë konkurrueshmërinë, por edhe të rrisë dukshëm cilësinë e jetës në Bashkimin Europian.

Gjithashtu ai tha se pesha dhe roli i biznesit në kërkimin shkencor është shumë i madh. Në këtë aspekt ai dha një detaj. “Në muzeun e revolucionit industrial në Mançester ka një shprehje në krye të ballinës që thotë:  kur shkenca u bashkua me biznesnin dhe Bota ndryshoi përgjithmonë. Dhe kjo duhet të jetë filozofia që duhet të ndjekin Universitetet shqiptare në raport me kërkimin shkencor” , u shpreh Kamberi.

Whatsapp Image 2024 12 02 At 19.25.47
Whatsapp Image 2024 12 02 At 19.25.47

Përsa i takon kërkimit shkencor në Shqipëri, Kamberi tha se nuk beson që ai të përfaqësojë një gjendje të ndryshme nga ajo që pasqyron e gjithë shoqëria shqiptare në fusha të ndryshme. “Kërkimi shkencor përfaqëson gjendjen e përgjithshme të shoqërisë dhe ekonomisë. Kërkimi shkencor ka kaluar në disa faza tranzicioni”, tha ai.

Kamberi tha se në Universitetet shqiptare 70% e stafit është e përqëndruar te mësimdhënia dhe 30% te kërkimi shkencor.

Sipas tij, kjo ndarje e ul peshën e kërkimit shkencor shqiptar dhe këtë e tregojnë shifrat. Lidhur me financimet, Kamberi tha se ka një rritje të fondeve shtetërore, por shtoi se ka të bëjë me kapacitetet e kërkimit shkencor.

“Biznesi duhet të rikthejë vëmendjen te kapacitetet e kërkimit shkencor. Ne kemi sfida të pafundme si shoqëri, në çdo fushë. Po diskutohet për reformën e pensioneve, kjo ka të bëjë me shumë elementë që ndërlidhen, nuk mjafton vetëm vullneti politik. Dhe fare mirë këtu kërkimi shkencor mund të japë një kontribut”, tha Kamberi.

Përsa i takon sfidave, ai tha se së pari kemi ato të mentalitetit, duke u prirur që të punohet në mënyrë të mbyllur, që do të thotë se komuniteti i kërkimit shkencor në Shqipëri priret të jetë i izoluar. “Vitin tjetër Shqipëria shënon 35 vjetorin e ndryshimit të sistemit, dhe duhet të organizohet një konferencë shkencore për të analizuar në aspektin shkencor se çfarë ka arritur apo humbur Shqipëria në këto 35 vjet”, tha Kamberi.

Sipas tij, burimet e financimit për kërkimin shkencor janë shteti, projektet ndërkombëtare, që janë në nivel konkurrues dhe biznesi.

“Ka një skepticizëm mes biznenit dhe komunitetit të kërkimit shkencor. Një individ që merret me biznes do zgjidhje të shpejta, nuk mund të presë”, tha Kamberi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb