Në kuadër të kërkimit shkencor, 6 studentë të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit në universitetin “Luarasi” kanë prezantuar online projektet e tyre para një paneli ndërkombëtar.


Nën mentorimin e pedagogut Virtyt Lezha, të apasionuarit pas teknologjisë kanëmbrojtur punimet në Konferencën e 30 Ndërkombëtare të Europës Qëndrore mbi Sistemet Inteligjente dhe të Informacionit. Vetë profesorët e Fakultetit të Organizimit dhe Informatikës, në universitetin e Zagrebit në Kroaci, i kanë vlerësuar maksimalisht studentët e Luarasi.



Dekania Nina Begicevic Redep: “Studentë nga 6 universitete prezantuan projektet e tyre, përfshirë këtu edhe studentë nga Shqipëria. Studentët nga universiteti Luarasi ishin ekselentë në kërkimin shkencor dhe janë të mirëpritur të vizitojnë universitetin tonë dhe pse jo, të bëhen pjesë e tij”.

Profesoresha e asociuar Violeta Vidacek Hains: “Së pari do të doja të falenderoja mentorët tuaj dhe studentët për prezantimet që bënë në universitetin tonë. Ne e kemi filluar bashkëpunimin vite më parë, dhe interesi sa vjen dhe rritet dita ditës. Është një projekt kërkimi shkencor ndërkombëtar dhe studentët nga vende të ndryshme të botës bëhen pjesë e skuadrave ndërkombëtare. Ndonjëherë studentët nuk kanë mundësi për të udhëtuar, kështu që mundësia më e mirë është komunikimi dhe prezantimi i projekteve online. Ky është një fillim shumë i mirë për një bashkëpunim të mëtejshëm dhe dua të them se puna e mentorit dhe 6 studentëve të Luarasi ishte e mrekullueshme”.

Pas një pune kërkimore shkencore 3 mujore, studentët e Luarasi, të ndarë në tre grupe paraqitën 3 abstrakte mbi fushat më inovative të momentit sic është biometrika. Pedagogu Virtyt Lezha vlerësoi performancën e të rinjve dhe theksoi se universiteti do të punojë në vijim për edukimin e të rinjve me kërkimin shkencor.

Vetë studentët pjesëmarrës në këtë projekt, shprehen të kënaqur mbi këtë eksperiencë dhe falenderojnë universitetin “Luarasi për mundësinë e dhënë.

Tre drejtimet kryesore të Luarasi do të shkojnë drejt një kërkimi shkencor i cili do të jetë i drejtuar përkundrejt projekteve individuale, projekteve kërkimore shkencore, angazhimit të studentëve në punimet me pedagogët si dhe në drejtim të projekteve inovative.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb