Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24 ishte i pranishëm ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka folur lidhur projektligjin për kërkimin shkencor.
Tafaj tha se nuk ka asnjë ngut për miratimin e këtij ligji, sikundër vlerësoi oponencën e bërë nga Rektorët lidhur me projektligjin e paraqitur.
“Ky ligj nuk duhet të miratohet kurrsesi pa qartësuar se si do të jetë Agjensia, Autoriteti apo Këshilli i kërkimit shkencor në Shqipëri”, tha Tafaj.
Ai u shpreh se vërtet në Shqipëri duhet një ligj i ri për shkencën, por duhet që ky ligj t’i përgjigjet kërkesave të sotme dhe të së ardhmes.
Profesor Tafaj vuri theksin te financimi për kërkimin shkencor, pasi pa financa nuk mund të arrihet asgjë.
“Financimet nga BE në çfarë mase do të jenë për Shqipërinë lidhur me kërkimin shkencor kur për Italinë janë në masën 8 %?
Çështja e financimeve duhet zgjidhur, ligji duhet të rregullojë si do të menaxhohet financimi për kërkimin shkencor”, tha Tafaj.
Në vijim ai theksoi se këshillat kombëtar të politikave të shkencës në çdo vend drejtohen nga profesoratet, dhe në këtë kuadër ai tha se ndoshta shkencëtari më i mirë që ka Shqipëria duhet të drejtojë këtë Këshill mbi shkencën.
“Ky Këshill nuk merr kurrë vendime me votë, por jep rekomandime, që nuk vihen në pikëpyetje nga ekzekutivi.
Nëse do të kesh një Këshill duhet ti japësh autoritetin, peshën e fjalës, dinjitetin dhe prit rekomandimet që duhet ti zbatosh”, tha Tafaj.
Dhe referuar projektligjit të paraqitur, Tafaj tha se është lapsus kur thuhet se Ministria mund të bëjë vlerësime. “Ministria është politikbërëse, kurrë nuk hyn, mund të vlerësojë sistemin, madje as vetë, por merr agjensi të çertifikuara, atëherë si mund të vlerësojë kërkimin shkencor të pedagogëve?
Nuk ka punë Ministria të dijë se çfarë ka bërë njëri apo tjetri pedagog lidhur me kërkimin shkencor. Këtë mund ta bëjë Komisioni i Profesorëve, apo ekspertë që vijnë nga bota akademike. Vetëm ata e kanë tagrin që mund të bëjnë vlerësime të tilla.
Si mundet që Ministria të vlerësojë kërkimin shkencor? Çfarë ndodh nëse ndërhyhet dhe i ndërpritet rruga e kërkimit shkencor një pedagogu se ai mund të jetë kritik me qeverinë?
Ligji është i domosdoshëm, por nëse Shqipëria do të bëjë progres, është i domosodoshëm financimi. Kërkimi shkencor nuk është më luks, bëhet për ti shërbyer politikave ekonomike-sociale”, tha Tafaj.