KUKES – Arrestohet në pikën kufitare të Morinës një 41-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge për veprat penale të “Grabitjes” dhe “Trafikimit të drogës”.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se 41-vjeçari Naim Shkodra u arrestua për llogari të autoriteteve belge, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bruksel/Belgjika.

“Policia Kufitare e Morinës kap dhe arreston një shtetas Kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare në P.K.K.Morinë, në hyrje u bë kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bruksel/Belgjika: Naim Shkodra, vjeç 41, lindur në Shkup-Maqedoni, banues në Ferizaj-Kosovë, pasi ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Belge të Drejtësisë për veprat penale të “Grabitjes” dhe “Trafikimit të drogës”, për të cilën është dënuar nga Gjykata e Antwerp-it/Belgjike me 2 vjet burg. Materialet e para procedurale do i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës , për vlerësim.”- thuhet në njoftimin e policisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb