Një 60-vjeçare është arrestuar në Shkodër nga Forcat e Posaçme Operacionale (Fast Albania) pasi rezultonte në kërkim në Itali për trafik droge. Operacioni është zhvilluar për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprime të rrezikshme kriminale.
Në kuadër të operacioneve, është arrestuar një grua 60-vjeçare nga Shkodra dhe një 32-vjeçar nga Mamurrasi të dyshuar si të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në Itali si dhe një suedez i akuzuar në vendin e tij për kanosje serioze për vrasje.
“Lumnije Freskina alias Lumnije Danaj, 60 vjeçe, e lindur në Shkodër, e cila u kap në Shkodër. Gjykata e Apelit të Firences, Itali, i ka caktuar masën “Arrest në burg” për akuzën e “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu, në pranga ka rënë edhe Ylli Zherri alias Ylli Gjuci, 32 vjeç, i lindur në Mamurras, i cili u kap në Mamurras. “Gjykata e Vareses, Itali, i ka caktuar masën “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale”.
(BalkanWeb)