Në Madrid të gjithë janë në pritje të “Remuntada-s”. Real Madrid, kampionët në fuqi të Evropës rrezikojnë të largohen që në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kjo pas disfatës së një jave më parë në Londër ndaj Arsneal 3-0. Një humbje e rëndë, për të besuarit e Carlo Ancelottit, që të mërkurën në mbrëmje do të kërkojë të përmbysë, një rezultat që për hir të së vërtetës nuk është asnjëherë i lehtë për t’u kthyer. Por Real Madrid është Real Madrid. Kjo skuadër duket se e ka në ADN të luaj e të triumfojë në këtë kompeticion, ndaj Arsenal është qartësisht e paralajmëruar.

Tekniku Carlo Ancelotti duhet të bëjë në këtë ndeshje pa mesfushorin francez Camavinga, i ndëshkuar me karton të kuq në “Fly Emirates” 1 javë më parë. Rodrigo, Mbappe dhe Vinicius pritet të formojnë tredhëmbëshin përpara për “Los Blancos”.

Pavarësisht shkallës së lartë të vështirësisë, ky kompeticion gjatë historisë së tij na ka treguar se asgjë nuk është e pamundur, mjafton të kthehemi shumë pak pas në kohë, në sfidën e gjysmëfinales së sezonit 2018-2019, aty ku Liverpool mposhti Barcelonën 4-0 në Anfield, pasi ishte mundur në ndeshjen e parë 3-0 në “Camp Nou”.

Real Madrid 15 herë fituesi i trofeut me veshë të mëdhenj, është pikërisht nga ato skuadra që nuk dorëzohet asnjëherë, ndaj të mërkurën “Bernabeu” pritet të jetë një arenë e vërtetë beteje mes madrilenëve dhe “topçinjve”.

Edhe mediat në Spanjë flasin për një përmbysje, teksa e përditshmja madrilene “Marca” ditën e sotme u hap me titullin: “Kështu, kështu përmbys Real Madrid”, duke publikuar edhe deklaratat ndër vite të legjendave të kësaj skuadre, një mënyrë kjo për të motivuar skuadrën në prag të një ndeshje tejet të vështirë.

Marca
 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb