TIRANË-Ish- kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi po merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas publikimit të një audio-përgjimi, ku i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në gjykatë.

Ish Kryegjyqtari po hetohet për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm pasi shtetësja R.I e cila pretendon se Guximtar Boçi ndërhyri kundër saj pasi ajo nuk pranoi ofertën për të kryer marrëdhënie seksuale.

Guximtar Boçi është pezulluar nga detyra dhe është nën hetim pas publikimit të bisedave të përgjuara nga nënë e dy fëmijëve tashmë e divorcuar.

Një ditë më parë Prokuroria e krimeve të Rënda mori në pyetje gjyqtaren e Gjirokastrës, shtetasen Blerta Çibuku. Gjyqtarja është pyetur në cilësinë e deklarueses nëse kishte pasur ndërhyrje nga kryetari i Gjykatës Gjirokastër Guximtar Boçi per ta favorizuar shtetasen 38-vjeçare,

Në dëshminë e saj gjyqtarja ka thënë se ka vendosur në favor të familjes së ish burrit të Rudina I, pasi ajo ka qenë bindja e saj bazuar në provat e administruara në dosje. Ndërkohë shtetasja që denoncoi skandalin ka regjistruar edhe këtë gjyqtare në audio ku thotë se vendosi në favor të familjes së ish burrit të 38­vjecares në konfliktin e pronësisë që ata kishin pas ankesave që pala kundërshtare kishte bërë në KLD.

Publikimi i skandalit seksual në emisionin “Stop” u bë në një ditë dhe orar kur po zhvillohej ceremonia e martesës së vajzës së madhe të kryegjyqtarit të Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Gjyqtari Boçi paraprakisht ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë. Ai deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.

Audio-përgjimi u publikua në emisionin investigativ ‘Stop”. Denoncuesja kishte një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër dhe ka kërkuar takim me kreun e saj, Guximtar Boci. Por në zyrën e tij, kryetari tenton ta puthë dhe i bën ofertë seksuale. Ndërsa refuzon të bëjë seks me kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, 40-vjeçarja humb çështjen. Ajo thotë se dështimi i saj, ka të bëjë me refuzimin, që i bëri kryetarit të gjykatës. Këtë shqetësim qytetarja ia shpreh edhe gjyqtares së çështjes me emrin Blerta, duke i rrëfyer mbi vardisjen e kryetarit. Kjo e fundit pranon, se fillimisht kryetari, Guximtar Boci, ishte interesuar për dosjen në fjalë, por më pas jo më.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: