Gjykata Kushtetuesese rrëzon kërkesën e Pëllumb Gjokës për bisedat e SkyEcc. Biznesmeni u arrestua në kuadër të “Metamorfozës”, pasi doli në bisedat e aplikacioneve të krimit.
Sipas këtij vendimi të marrë unanimisht nga Gjykata Kushtetuese, përgjimet e SkyEcc do të perdoren si provë në proceset gjyqësore.
Pëllumb Gjoka kërkoi që Kushtetuesja të shpallë të pavlefshme përgjimet e platformave SkyEcc dhe EncroChat, mbi të cilat SPAK ka nisur një seri procedimesh penale dhe ka kryer një seri arrestimesh të personave të ndryshëm.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.Shfuqizimi ishkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka u arrestua si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i angazhuar më herët në lojërat e fatit, për më shumë se 3 vite me statusin e investitorit strategjik në turizëm, u arrestua një vit e gjysmë më parë në kuadër të Operacionit “Metamorfoza”, së bashku me ish-drejtuesin e prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe ish-drejtuesin e Forcës Operacionale të Policisë, Oltion Bistri.
Ai dyshohet për vrasje për maramendim, si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal. Gjoka dyshohet se është përdorues i aplikacionit të koduar SkyECC, dhe arrestimi i tij erdhi pasi agjencitë europiane deshifruan komunikimet përmes telefonave të koduar midis personave të botës së krimit dhe ia përcollën ato Prokurorisë së Posaçme.
Disa muaj pas arrestimit Prokuroria e Posaçme i sekuestroi atij afro 40 hektarë pyje në zonën e Velipojës.
Biznesmeni Gjoka e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese si të paligjshëm arrestin e tij me burg bazuar në prova të siguruara nga SkyECC, por kërkesa e tij u rrëzua sot unanimisht nga kjo Gjykatë.
Bazuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetueses, sistemi i drejtësisë në Shqipëri do të pranojë dhe do të përdorë si prova në proceset gjyqësore të dhënat e nxjerra nga SkyECC, si një procedurë tashmë në përputhje me Kushtetutën dhe me standartet ndërkombëtare.
Pasi ky sistem i koduar i SkyECC u zbërthye, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur nëntë grupe të fuqishme kriminale, ka arrestuar një numër të konsiderueshëm të dyshuar për veprimtari kriminale, si dhe ka ndriçuar ngjarje të rënda kriminale përgjatë shumë viteve.
Prandaj, vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka një ndikim të gjerë dhe thelbësor në luftën e SPAK-ut kundër krimit të organizuar.
(BalkanWeb)