Rreth 4 mijë punonjës shëndetësorë në Kroaci kanë nisur grevën e paralajmëruar më herët gjatë ditës së sotme, për shkak të pakënaqësisë me nivelin e pagave dhe rregulloren për koeficientët.
Sipas të dhënave të para, greva është në fuqi në 58 institucione shëndetësore në mbarë Kroacinë.
Grevistët kërkojnë rritje të pagave bazë të paktën 20 për qind.
“Përgjigja është e shkëlqyer, fantastike. Shumë njerëz iu përgjigjën grevës”, tha për Hina presidenti i Sindikatës Zajedno Krunoslav Kusec.
Në grevë janë teknikët radiologjikë, laboratorët, mjekët, infermierët dhe teknikët farmaceutikë.
Kusec thotë se pothuajse e gjithë anëtarësia e Sindikatës Zajedno është në grevë.
Ministria e Shëndetësisë më herët tha se janë të gatshme të bisedojnë me të gjitha sindikatat për çështje të hapura dhe se mendojnë se greva nuk është zgjidhje e pranueshme.