Ajo çfarë shkruan, komenton apo publikon në rrjete sociale mund të jetë vendimtare për një aplikues që dëshiron të pajiset me vizë amerikane.

Administrata Trump ka bërë të ditur se dëshiron të vërë në zbatim një teknike të re që ka të bëjë me grumbullimin e informacionit marrë nga rrjetet sociale për personat të cilët dëshirojnë të aplikojnë për vizë turistike, emigrimi apo pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Propozimi që vjen nga Departamenti i Shtetit do t’u kërkonte aplikantëve për vizë që të japin detaje mbi llogaritë e tyre në “Facebook” dhe “Twitter”.

Ata do të duhet që të japin informacion mbi të gjithë identitetet e tyre në rrjete sociale përgjatë pesë viteve të fundit. Aplikantëve do t’u kërkohet gjithashtu të japin informacion për numrat e telefonit që kanë përdorur gjatë pesë viteve të fundit, adresat elektronike dhe udhëtimet jashtë vendit.

Një tjetër kërkesë ka të bëjë me dhënien e informacionit nëse janë dëbuar ndonjëherë nga një vend tjetër ose nëse ndonjë i afërm ishte përfshirë në veprimtari terroriste.

Propozimi nuk do të prekë qytetarët nga ato shtete që gëzojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza drejt SHBA-së siç janë vendet anëtare të BE-së, Britania e Madhe, Kanadaja etj.

BBC per vizat

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb