Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Jonila Godole, e ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me debatet dhe situatën e krijuar mbrëmjen e djeshme gjatë mbledhjes së Kryesisë së demokratëve.
Godole zbuloi se gjatë mbledhjes u dëgjua një zhurmë dhe gjatë momentit që kishte dalë, tregoi se 3 persona i kishin thënë “çfarë ka për të qeshur”, për shkak se sipas tyre kjo ishte një situatë serioze.
Ajo shtoi se kishte kërkuar të mos vijohej me mbledhjen në këto kushte, gjë që ishte refuzuar edhe pse sipas saj jashtë ishin mbledhur persona që kishin tensionuar situatën.
“Isha në fund të sallës dhe dëgjuam zhurmë. Kujtova se kishin hyrë gazetarët dhe po ndodhte ndonjë përlpasje. Ajo që përjetova nuk ishte diçka e madhe, por njoha 3 persona që më thanë se çfarë ka për të qeshur aty sepse situata është serioze. Unë isha me një buzëqeshje kur dola për shkak se mendova se jashtë ishin gazetarët. Për mua ishte e rëndësishme të bëhej një mbledhje me dyer të mbyllura dhe u futa brenda duke kërkuar të mos vijonim me këto kushte. Jashtë ishin njerëz që kishin tensionuar situatën dhe nuk u pranua të shtyhej votimi.
Nuk u kërkua ndonjë propozim aty. Menjëherë kemi folur pas humbjes në zgjedhje për të analizuar situatën dhe kjo nuk ndodhi. Ishin platformat e ndryshme që në thelb duan të njëjtën gjë. Supozojmë se ata që janë në Kryesinë e një partie, kur ulen flasin për të mirën e partisë. Ne jemi aty për hapjen e garës edhe pse aty u fol për zgjedhje kryetari. Patjetër që do bëhet por duhet të hapet gara fillimisht”, u shpreh ajo.