Apeli i GJKKO nuk ndryshon masën për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Gazetarja Klodiana Lala raporton lajmin për BalkanWeb.

Sipas vendimit të marrë nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, Berisha dhe Malltezi do vazhdojnë të qëndrojnë në masën e sigurisë arrest shtëpie.

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në i izoluar në banesën e tij prej datës 30 dhjetor 2023, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit për çështjen në hetim lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

VENDIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 18.06.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 130 akti, datë 11.06.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 245 akti, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 245 akti, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie pasi nuk zbatoi një vendim të mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, vendim të cilin ai e konsideron si antikushtetues. Berisha është vënë nën akuzë nga SPAK pasi ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.

E njëjta masë sigurie e arrestit shtëpiak rëndon edhe mbi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit dyshohet nga SPAK se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta në vlerë rreth 5.4 mln euro, nga ndërtimet te ish-kompleksi Partizani, ku ai përfitoi pronësinë e truallit si trashëgimtar, krahas pronarëve të ligjshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: