Ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se Qeveria e Izraelit nuk dëshiron paqe me Qeverinë e Palestinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një regjistrim audio të publikuar nga televizioni Channel 10 i Izraelit, Kerry i cili ka folur në një takim në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, është shprehur se “Aktualisht qeveria e Izraelit nuk dëshiron paqe me qeverinë palestineze. Shumica e ministrave të qeverisë izraelite nuk dëshirojnë formimin e një shteti Palestinez.”

“Palestinezët kanë bërë shumë përpjekje që të mos përdorin dhunën”, ka theksuar Kerry.

Ndërsa sipas një lajmi në televizionin izraelit Channel 7, ndaj deklaratave të Kerry-t ka reaguar Kryeministria e Izraelit, kë në një deklaratë ka theksuar se “Kryeministri (Benjamin Netanyahu) do të vazhdojë të tregojë një qëndrim të vendosur për sigurinë e shtetit izraelit dhe solidaritetit kombëtar”.

Ndër të tjera në deklaratën ku vihet në dukje se Palestina ka ngritur padi ndaj Britanisë për Deklaratën e Balfourit, thuhet se “Para së gjithash shkaku i mos vendosjes së paqes është se palestinezët nuk kanë paraqitur një afrim për njohjen e Izraelit mbi asnjë kufi. Ndërsa tani kanë ngritur padi ndaj Britanisë për Deklaratën e Balfourit. Është për të ardhur keq që John Kerry nuk e kupton këtë.”

Kerry i cili gjatë periudhës së Ish-presidentit Barak Obama ka kryer detyrën e kreut të Departamentit Amerikan të Shtetit, për sa kohë që ai ka qëndruar në këtë detyrë mes viteve 2013-2017 ka punuar për negociatat e paqes Izrael-Palestinë, por nuk ka mundur të jetë i suksesshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: