TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar vizitën e sekretarit amerikan të shtetit John Kerry në Shqipëri dhe takimin e tij me kreun e PD-së. Në profilin e tij në facebook, Berisha e quan këtë vizitë historike duke theksuar se takimet, mesazhet publike të Kerryt janë një mbështetje për Shqipërinë e shqiptarët në luftën kundër krimit të organizuar.


“Vizitë historike e sekretarit John Kerry në Shqipëri! Sot erdhi për një vizitë miqësore, historike në Shqipëri, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Kjo vizitë, që është e pesta e një sekretari shteti në Tiranë që nga viti 1991, është dëshmi e vlerësimit dhe ndjenjave miqësore që SHBA kanë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Vizita e sekretarit Kerry, takimet, mesazhet e tij publike janë një mbështetje e madhe për përpjekjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe rrugën e integrimit, sigurisë dhe zhvillimit”, shkruan Berisha.


Ish-lideri i PD-së ka komentuar edhe takimin e sekretarit Kerry me kryedemokratin Basha. Sipas tij, Basha e ka informuar për gjendjet e rëndë të krimit të organizuar. lidhjet e tij me qeverinë, korrupsion etj.


“Sekretari Kerry, krahas pushtetarëve, zhvilloi një takim të veçantë shumë të rëndësishëm me kryetarin e Partisë Demokratike dhe dëgjoi zërin e opozitës mbi gjendjen tejet të rëndë të krimit të organizuar, lidhjet e tij të tmerrshme me Ramën dhe qeverinë e tij, korrupsionin e përmasave gjigande të qeverise dhe rrënimin e zgjedhjeve nga Edi Rama.

Kryetari i PD Lulzim Basha dhe udhëheqja e PD u takuan me sekretarin Kerry, duke qenë kontributor kryesor dhe promotori i ligjit dhe procesit të dekriminalizimit, për te cilin qeveria e SHBA dha një kontribut thelbësor. Kjo vizitë bëhet dhe në kuadrin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 15 mars të vitit 1991 midis dy vendeve tona, akt historik që ndodhi vetëm tre muaj pas themelimit të PDSH dhe që u bë i mundur nga vendosja e pluralizmit politik në Shqipëri”, përfundon Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: