Shkodra dhe zonat e saj historike, kanë hyrë tashmë në rrugën e transformimit urban përmes investime bashkëkohore. Pjesë e projekteve për vitalizimin urban dhe rilindjen është lagjja 300-vjeçare e Zdrales, një nga zonat historike të Shkodrës që do të kthehet në një hapësirë me pedonale, si një destinacion i ri tregtar, social e turistik.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një inspektim në zonën e Zdrales, ku ka nisur zbatimin faza e parë e projektit për Rilindjen urbane.
Rama, pa nga afër mjediset e zonës që do t’i nënshtrohen rikualifikimit të plotë për unifikimin e banesave dhe njësive tregtare që ndodhen aty.
I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe prefektja e qarkut Majlinda Angoni, Rama tha se, “me investimet që do nisin këtu, zonës së Zdrales do t’i jepet jetë”, teksa u njoh nga afër me detajet e projektit.
Rama u shpreh se, ky projekt do të transformojë lagjen tradicionale të Zdrales dhe vlerën ekonomike të zonës, duke përfshirë banesat dhe bizneset aty që do përfitojnë nga zhvillimi.
Ai vuri në dukje se projekti synon ta kthejë këtë lagje në një destinacion të ri tregtar, social dhe turistik, duke i shtuar vlerë pronës dhe ofertës turistike të qytetit. Faza e parë e projektit, e cila është në proces, pritet të përfundojë në qershor të këtij viti.
Zona historike e Zdrales është një nga më të mirënjohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar, e sjellë së fundmi në vëmendje si nevojë për transformim të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite.
(BalkanWeb)