TIRANE

Listës së shërbimeve që do të përfitojnë falas ose me çmime të reduktuara studentët e universitete të Tiranës falë Kartës së Studentit i shtohen edhe 18 të tjera. Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi gjatë mbledhjes së sotme vendimin për miratimin e plotë 18 shërbimeve të tjera që studentët mund të përfitojnë duke përdorur kartën e studentit, ndërsa kryebashkiaku Veliaj tha se deri në fund të verës do të synohet që kjo listë të shkojë deri në 100 të tilla.

Tabela E Sherbimeve

“Kemi një listë me 40 shërbime, e kemi azhornuar sepse janë shtuar edhe shërbime të tjera. Në mbledhjen e fundit ishtë Muzeu Kadare, tani do të kemi disa stacione të tjera ku studentët t’i marrin këto shërbime. Pretendojmë që deri në fund të verës këto të shkojnë deri në 100 shërbime publike dhe private”, – tha Veliaj.

Më tej ai bëri të ditur se procesi i aplikimit dhe shëprndarjes së kartave të studentit ka ecur me ritme shumë të mira, çka ka bërë që deri më tani të lëshohen rreth 10 mijë të tilla. “Jam shumë i lumtur se kemi arritur deri në 10 mijë karta të lëshuara për studentët. Kjo është inkurajuese pasi kemi një rritëm shumë më të shpejt se sa privati, kur vjen puna për një produkt. Dhe në dallin nga privati që i duhet dy javë ne na duhet dy minuta dhe studenti merr kartën”, u shpreh Veliaj.

Veliaj shprehu mirënjohjen jo vetëm për angazhimin e institucioneve shtetërore, por më së shumti të subjekteve private që i janë bashkuar kësaj nisme duke ofruar gjithashtu shërbime dhe produkte falas ose me çmime të reduktuara për këdo që mban Kartën e Studentit. “Jam shumë i lumtur që shumë banka, kompani celulare, kompanive të veshjeve, kompanive të kancelarive, kompanive të pajisjeve elektronike, të gamës së produkteve ose ushqimore, ose mensave të gamës së produkteve që konsumon një student, janë bërë pjesë e skemës”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb