TIRANË-Ngjarja e Laçit ku mbetën të plagosur 7 persona për cështjen e Lagunës së Patokut, ku protagonist i ngjarjes u artikulua deputeti socialist Armand Prenga ‘zbret’ në Kuvend. Pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, Kuvendi ka protokolluar dokumentin mbi Prengën, ndërsa Këshilli i Mandateve i mbledhur rreth orës 19:50, nën drejtimin e kryeparlamentarit Ilir Meta, i propozon Kuvnedit heqjen e imunitetit të deputetit Prenga. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin miratoi me konsensus kërkesën e Prokurorisë.Raporti i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të shqyrtohet nesër në seancë plenare, datë 7 shtator 2015.

Deputeti Armando Prenga ishte pranishëm në mbledhje, ndërsa u shoqërua me masa të rrepta sigurie. Ai deklaroi se çështja është e sajuar dhe se ai do presë me durim vendimin. Prokuroria ka artikuluar akuzën duke kërkuar arrestimin e Prengës, ndërsa avokati i tij Baftjar Rusi u shpreh se ndaj deputetetit nuk ka prova bindëse që vërtetojnë akuzat. Prokuroria edhe pse sqaroi se arma tip pistoletë u përdor nga Prenga, nuk ka ende një autor të përdorimit të automatikut në vendngjarje. Sipas tyre arma po i nështrohet ekspertizës. Vetë kreu i qeverisë Rama është deklaruar për heqjen e imunitetit të deputetit, ndërkohë që Prenga pretendon se me armën e tij nuk ka plagosur asnjë person.

PRENGA: ÇËSHTJA E SAJUAR, DO JEM I DURUESHËM DO PRES VENDIMIN!
Me pranga në duar Armando Prenga ka deklaruar para Këshillit të Mandateve se nuk ka qëlluar me armë para komisariatit. Ai shton se ndaj tij është ngritur një vorbull, një sajim nga komisionerë të PD-së që siç shton, e kanë pasur në administrim për 10 vite lagunën e Patokut dhe të cilët i njeh i gjithë qyteti i Lacit.

“Jam akuzuar me të padrejtë, kam shkuar me vonesë para komisariatit, nuk kam lidhje me ngjarjen, aty kishte dëshmitarë, polica duhet të ishin marrë në pyetje. Kam gjetur vëllanë të plagosur, nuk kam pas arsye pse të mbaj armë pa leje kur kam armë me leje. Këto janë vorbull për mua dhe familjen time, besoj që drejtësia do nxjerrë të vërtetën, do jem i durueshëm, do pres këtë vendim të drejtësisë. Ky është një sajim dhe trillim nga komisionerë të PD që e kishin lagunën për 10 vite. Shkoni dhe pyesni se sa persona kanë rrahur Calët? A kanë kërkuar të vrasin vetëm Prengën apo edhe të tjerë? Ata familje që shpesh kanë qenë nën akuzë dhe vëllai im i ka denoncuar disa herë. Po të ishte për të qëlluar do ta qëlloja Gjok Calin kur më drejtoi bajonetën siç theri vëllai i tij, vëllain tim. Kjo ishte e vërteta, nëse kam bërë gabim do përballem me ligjin, por jam i vetëdijshëm. Nëse do ta kisha bërë një gjë të tillë do kisha dhënë vetë dorëheqjen. Shiheni me vëmendje këtë çështje, po kamuflohet. Unë kam parë hallet e mia, familjen time, jam i martuar, kam 2 fëmijë nuk kam pasur nevojë të hy në konflikte me asnjë njeri”,- tha deputeti.

AVOKATI: NUK KA ASNJË PROVË BINDËSE
Baftjar Rusi avokati i deputetit Armando Prenga ka treguar të njëjtin version si pak orë më parë bëri me dije me anë të një letre deputeti Armando Prenga. Rusi ka mohuar që Prenga të ketë qëlluar para komisariatit, ndërsa i cilësoi të pabazuara provat e Prokurorisë. Sipas tij, asnjë polic në komisariatin e Kurbinit nuk ka deklaruar se ka parë deputetin Prenga të qëllojë me armë.

“Asnjë nga policët në komisariat nuk e thotë që Armando Prenga ka qëlluar me armë. Pse nuk doli një polic të thotë? Si është e mundur që kishte një pistoletë me leje dhe atje është përdorur një armë dhe një automatik? Prokuroria ka disa versione për ngjarjen. Shkon gjithë familja Cali për të bërë një denoncim, pse u lejuan gjithë këto persona me armë të ftohta të shkojnë me armë në komisarit? Pse ka të plagosur nga të dyja palët? Pse nuk u pyetën asnjë nga këto persona? Relacioni për mua është shumë i gabuar, relacioni nuk ka asnjë provë bindëse. Kush i krijoi këto prova?…”,- thotë avokati.

PROKURORIA: TË ARRESTOHET PRENGA, JA 3 VEPRAT PENALE
Përfaqësuesit e Prokurorisë kanë kërkuar gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve autorizim për arrestimin e deputetit Prenga, pasi sipas prokurorisë ai ka qënë i armatosur në konfliktin me familjen Cali për zotërimin e Lagunës së Patokut. “Prenga shkoi në lokalin e shtetasit Gjok Cali, ata janë përplasur në Fushë-Kuqe”,- thuhet nga Prokuroria, ndërsa më pas theksohet se “Ai ka përdorur armë zjarri duke plagosur në këmbë Tom Calin”, afër komisariatit.

Prokuroria ka vërtetuar se, “Nga arma me të cilin ka qënë i pajisur me leje deputeti nuk është kryer qitje”. Ata thonë se arma me të cilën ka qëlluar ka qënë pa leje.

Prokuroria ka artikuluar edhe 3 veprat penale që rëndojnë mbi Prengën; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”.

ARMANDO PRENGA MBËRRIN NË KRYESINË E KUVENDIT
Deputeti Armando Prenga ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit rreth orës 19:16 i shoqëruar nga forcat e policisë, aty ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku ka shumë gjasa t’i hiqet imuniteti si deputet, me qëllim që Prokuroria të procedojë me arrestimin e tij. Në Kuvend mbërrijnë gjithashtu edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorët Sokol Binaj dhe Arban Kraja. Pranë Kryesisë së Kuvendit kanë mbërritur edhe familjarë të deputetit.

ARMANDO PRENGA DO TË MARRË PJESË NË KËSHILLIN E MANDATEVE
Avokati mbrojtës i deputetit të PS-së, Armando Prenga do të jetë i pranishëm në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Lajmi bëhet i ditur nga avokati mbrojtës i deputetit të PS-së. “Kërkuam të japim shpjegimet para Këshillit”, tha avokati. Ndërkohë pritet që deputeti të shoqërohet në këtë mbledhje nga forcat e policisë.

MANDATI I PRENGES, MBLIDHET SOT KESHILLI PER RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN
“Njoftim sot ne oren 19:30 Mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imuniteti”, bën të ditur këshilltari i kreut te Kuvendit, Ilir Meta, Emiljano Aleksi.

protokolli i kuvendit

EDI RAMA: URGJENT T’I HIQET IMUNITETI, T’I DORËZOHET DREJTËSISË!
Pas kërkesës së prokurorisë menjëherë ka reaguar kryeministri Edi Rama që ka kërkuar ti hiqet imuniteti, deputetit Armando Prenga.
“Pershendes prokurorine tani të heqim urgjent imunitetin e deputetit që ka punë me drejtësinë! ‪#‎ToleranceZero‬ për këdoqoftë që shkel ligjin”, shkruan Rama në Facebook.

(ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: