Këshilli për Rregulloren e Mandatet po diskuton lidhur me kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike përsa i takon mandatit të deputetit socialist, Vullnet Sinaj.

Sipas PD-së, Sinaj ka përfituar nga fondet publike, në një kohë që ka qenë ligjvënës, çka sipas demokratëve bie ndesh me ligjet dhe si rezultat duhet të humbasë mandatin e deputetit.

Gazetari Osman Stafa në një raportim për Balkanëeb, referuar kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, bëri të ditur se deputeti Sinaj, nëpërmjet kompanive në proneësi të tij ka përfituar të ardhura nga buxheti i shtetit.

“Kemi verifikuar se deputeti Sinaj është pronar në 9 kompani, ku në 5 prej të cilave është aksioner i drejtpërdrejt.

Ne kemi verifikuar nëpërmjet shkresave zyrtare, në këtë rast Drejtorisë se Thesarit, se deputeti Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar mund të jenë edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë euro.

Në këto kushte ai është neë shkelje të Kushtetutës konkretisht të nenit 70, pika 3.  Këto fakte, janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Finacave dhe Drejtoria e Thesarit”, tha Bardhi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

Në vijim ai shtoi se Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, ka si detyrë vetëm verifikimin formal të procedurës.

Pas Gazment Bardhit, ka reaguar Vullnet Sinaj, i cili duke ironizuar kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, tha se “si ka mundësi që nuk ke gjetur dokumentet për paratë që unë kam dhuruar edhe gjatë kohës së tërmetit”.

“Kam dhuruar 100 mijë euro në kohën e tërmetit. Unë kam qenë biznesmen që hyra në politikë dhe nuk u bëra sipërmarrës pasi hyra në politikë. Unë kam 20 vjet që merrem me biznes. Ai biznesi që ju më thoni që është i mi, ka bërë atë sollën e operacioneve te Kardiologjia për fëmijët. Ndaj meje po bëhet një farsë e madhe, që nuk është as ligjore”, tha Sinaj.

Ai tha se në momentin që ka marrë mandatin e deputetit ka hequr dorë nga aksionet e tij në biznese. “Ajo që ju më akuzoni mua sot është shitja e produkteve në kasa. Ku ta dijë një punonjës i kasës se kush ble në marketet e Big Market? Kujt t’ia ndalojmë hyrjen në Big Market na i thoni? Nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, përkundrazi jam donator. Nuk kam marrë pjesë në asnjë tender, në asnjë koncension”, tha Sinaj.

Por, Gazment Bardhi përmendi disa institiucione që sipas tij kanë kryer blerje në rrjetin e supermarketeve që ka në pronësi deputeti Sinaj. “Qoftë edhe për 1 lek, ne nuk mund të mbyllim sytë, kur përfituesi është deputet. Jeni në shkelje të Kushtetutës”, tha Bardhi. Ai tha se nuk heq dhe as nuk jep mandate, pasi është Gjykata Kushtetuese e cila vendos për çështjen.

“Nuk duhet të keni frikë nga shqyrtimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendos për mandatin, ndoshta keni të drejtë Ju dhe ne e kemi gabim, por mendoj se ne kemi të drejtë”, tha Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: