TIRANE- Mbledhja e Këshillit të Ministrave, e zhvilluar sot është shoqëruar edhe me marrjen e disa vendimeve siç janë, shpronësimi i pronarëve që preken nga autostrada Tiranë-Vorë, atyre që preken nga rruga hyrëse në Fier apo edhe miratimi i marrëveshjes së grantit me BERZH për by-pass-in e Vlorës.

Kështu qeveria ka vendosur shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë-Vorë (seksioni II, krahu i majtë). Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë “truall”, tokë “arë” dhe “pemëtore”, me sipërfaqe të përgjithshme 58 516 (pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë) m2 dhe vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 32 957 260 lekësh.

Këshilli i Ministrave vendosi që vlera totale e shpronësimit të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2014, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar, zëri “Shpronësimet”.

Gjithashtu në mbledhjen e djeshme të Këshillit të ministrave u vendos për disa ndryshime në vendimin e vitit 2009 për shpronësimin e pronarëve që preken nga rruga hyrëse për në Fier.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 1139.4 m2, tokë “truall”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 13 672 800 lekësh.

Një prej vendimeve të rëndësishme, i marrë sot nga qeveria ishte edhe miratimi në parim i marrëveshjes së grantit ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH për investimin nga llogaria EU/IPA e By-pass-it Vlorë, në shumën 17 000 000 euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar gjithashtu edhe rregullat dhe vlerësimet për dhënien e koncesioneve si dhe dhënia e një fondi shtesë, nga buxheti 2014 për Presidencën, në shumë prej 3 mln lekësh të reja për shpenzimet korente.

Këshilli i Ministrave vendosi gjithashtu të shtojë numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore, për vitin 2014.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb