PRISHTINE – Mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbahet sot pasdite në New York, ku do të shqyrtohet raporti i rregullt i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon mbi zhvillimet tremujore në Kosovë.
Kosovën në këtë takim do ta përfaqësojë kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ndërkohë që edhe Serbia do të përfaqësohet nga kryeministri Aleksandar Vuçiç. Kjo do të jetë pjesëmarrja e tij e parë në këtë cilësi në takimet e Këshillit.
Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi në sesionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të prezantojë rezultatet e Kosovës sa i përket organizimit të zgjedhjeve dhe finalizimit të formulës gjithëpërfshirëse qeverisëse, përfundimin e negociatave për MSA, raportin e progresit për liberalizim të vizave, përfshirjen e Kosovës në koalicionin global kundër ISIS, por edhe anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik si shtet sovran.
Raporti përfshin periudhën raportuese nga 16 korriku deri më 15 tetor, në të cilin Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, shpreh shqetësimin për siç thotë, ‘moskonstituimin pas zgjedhjeve të organeve udhëheqëse të Kosovës’ dhe u bënë thirrje ‘të gjitha subjekteve politike në radhë të parë kryetarëve të tyre që të rrisin përpjekjet në mënyrë që zgjedhjet e 8 qershorit të jenë të suksesshme.’
Në raport Sekretari i Përgjithshëm po ashtu thekson se duhet të vazhdojë procesi për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron MSA me BE-në.
Sekretari i Përgjithshëm në këtë raport ka falënderuar angazhimin e udhëheqësve të Kosovës për qasjen dhe zgjidhjen e çështjes së pjesëmarrjes së shtetasve kosovarë në konfliktet e huaja dhe në këtë kuadër ka përshëndetur edhe liderët e bashkësisë islame dhe të përkatësive të tjera fetare në Kosovë për distancimin nga ekstremizmi.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb