TIRANE – Përçahen studentët. Ndërkohë që një përfaqësuese e Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës deklaroi pasdite në emër të këtij grupimi, solidaritetin me studentët e grevës dhe bojkotin e mësimit, ka dalë kundër, Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, që ka njoftuar se nuk ka lidhje me këta përfaqësues fiktivë dhe do të vazhdojë procesin akademik që prej ditës së hënë.


PERFAQESUESJA E KESHILLIT STUDENTOR TE UT: BOJKOT, MESIMIT DHE PROVIMEVE


Një pëfaqësuese e Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës (në foto) ka deklaruar sot se mbështet plotësisht, grevën e studentëve të transferuar në Universitetin Publik dhe në ditët në vijim, do të bojkotojnë mësimin dhe do të braktisin provimet derisa qeveria të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre.


“Ne dënojmë atë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit,- tha studentja, – kur, greva e urisë, forma e vetme e protestës që u mbeti studentëve, u dhunua. Greva e studentëve, si forma e vetme e protestës, u prek dhe studentët i janë nënshtruar një trajtimi çnjerëzor në komisariatet e policisë.

Qeveria, pasi u ndërpreu studimet, të rinjve, në universitetet private, i bëri ata të paguajnë më shumë në universitetin shtetëror në një kohë kur Karta e Bolonjës e ka të qartë se nga transferimi ata nuk duhet të paguajnë më shumë se të tjerët.

Në këtë kuadër, – përfundoi përfaqësuesja e Këshillit Studentor, deklarojmë mbështetje të fortë për studentët dhe njoftojmë se studentët do t’i bashkohen atyre, do të bojkotojnë mësimin dhe braktisin provimet derisa qeveria të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre.”

UNIVERSITETI I MJEKESISE TIRANE, KESHILLI: JANE PERFAQESUES FIKTIVE, NE S’DO TA CENOJME PROCESIN AKADEMIK

Ndërkohë, deklarata e mësipërme u kundërshtua nga Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, që me anë të deklarate u shpreh: “Jemi informuar se studentë jo të autorizuar, që nuk i përkasin strukturave tona, kanë deklaruar se do të bojkotojnë mësimin deri në gjetjen e një zgjidhjeje për protestuesit. Ne deklarojme se kjo nuk është e vërtetë dhe se respektojmë protestën e çdo grupimi, por duke mos cenuar procesin akademik, i cili do të vijojë normalisht prej ditës së hënë.

Ne si Këshill Studentor i UMT, distancohemi nga çdo deklaratë nga përfaqësues fiktiv këshillash studentore, të cilët marrin përsipër guximin te flasin ne emer te te gjithe Keshillave Studentor te Universiteteve Publike. Cdokush qe nxit akte te tilla duhet te distancohet sa me pare pasi kjo fryme synon percarjen mes studenteve dhe nuk con ne zgjidhjen e problemit te studenteve qe protestojne per tarifat! Në vazhdim, nxisim dhe mbeshtesim debatet e hapura per cdo problem te studenteve te transferuar por ne menyre qytetare dhe pa cenuar lirite dhe te drejtat e askujt,”- përfundon deklarata.

STUDENTET E GREVES KERKOJNE TAKIM ME PRESIDENTIN E REPUBLIKES

Pas paralajmërimit të Këshillit Studentor për bojkotim të leksioneve, vetë të rinjtë grevistë kanë njoftuar se i kanë kërkuar takim, Presidentit të Republikës, për ta vënë dijeni për kërkesat e tyre, reagimin e institucioneve shtetërore si dhe sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj grevës, si një e drejtë themelore e lirive.

PROTESTA DHE DEKLARATAT POLITIKE

Ditët e fundit, 32 studentë të tranferuar në Universitetin Publik nga universitetet private të mbyllura, kanë protestuar dhe tentuar të nisin një grevë urie në Fakultetin e Infermierisë.

Ata kanë kërkuar që për ta të zbatohen të njejtat tarifa studimesh si studentët e regjistruar më parë në shtet. Kërkesat e tyre nuk janë pranuar nga Ministria e Arsimit, e cila u ka bërë të qartë se atyre iu është bërë privilegj, iu është dhënë një mundësi për të vazhduar studimet në shtet, pavarësisht se nuk kanë konkuruar si të tjerët. Por, studentët e “privatëve”, të mbështetur edhe nga PD-ja, kanë insistuar në kërkesa dhe kanë nisur një grevë urie, prej së cilës janë nxjerrë me forcë nga policia sot.

Pikërisht ndërprerja e grevës u bë shkak i akuzave të ndërsjellta politike ndërmjet PD-së dhe Qeverisë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi se “Edi Rama ka hedhur në erë çdo garanci për bashkëjetesë demokratike, duke mbyllur me dhunë një grevë studentësh, duke shoqëruar me dhunë në komisariat grevistët e duke i dhunuar në qeli.”

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit deklaroi se 32 studentët janë “të yshtur politikisht” dhe atyre iu është një mundësi për të studiuar.

Së fundmi, ka reaguar Këshilli Studentor, që ka deklaruar se do ta përshkallëzojë, protestën në mbështetje të të transferuarve.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb