KRUJË- Këshilltarët e djathtë të Bashkisë së Krujës, të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e parë, që shënon edhe konstituimin e tij. Kjo gjë konfirmohet nga vetë anëtarët, të cilët përmes një deklarate shprehen se nuk janë përmbushur kërkesat ligjore për njoftimin e mbledhjes së parë.

“Në një akt të pashembullt arrogance dhe papërgjegjshmërie institucionale, pa përmbushur kërkesat ligjore për njoftimin zyrtar të mbledhjes së parë, është thirrur për konstituim Këshilli Bashkiak i Bashkisë Krujë. Në shenjë proteste, sensibilizimi dhe përgjegjshmërie qytetare e institucionale ndaj këtij akti të kundërligjshëm, ne, këshilltarët e opozitës kemi vendosur të refuzojnë këtë praktikë fyese, e cila i shtohet poshtërimit që iu bë qytetarëve me kandidimin e një individi me rekorde kriminale, të denoncuar publikisht nga mediat ndërkombëtare dhe partnerët më të rëndësishëm euroatlantikë”, shprehen anëtarët e djathtë të Këshillit Bashkiak të Krujës.

Ata gjithashtu shprehin vullnetin e tyre për të vazhduar betejën për dekriminalizimin dhe rikthimin e sovranitetit të popullit

“Në emër të qytetarëve të bashkisë Krujë, të cilësive më të mira morale e qytetare që ata përfaqësojnë, shprehim vendosmërinë për të vazhduar betejën për dekriminalizimin dhe rikthimin e sovranitetit të popullit nëpërmjet paprekshmërisë së votës së lirë, larg blerjes së votës, tritolit dhe shantazheve të pushtetit”, përfundon deklarata e tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: