TIRANË- Këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim ndërmorën një dëgjesë publike me shoqërinë civile lidhur me pretendimet që kanë të rinjtë për projektbuxhetin e ri të Bashkisë së Tiranës për vitin 2016.

Të pranishëm në këtë takim ishin të gjithë këshilltarët e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Duke komentuar projektligjin e ri të qeverisë dërguar në Kuvend lidhur me vetëqeverisjen vendore, Këshilltari i LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari, u shpreh se kjo nismë duhet më parë t’i nënshtrohet një konsultimi publik me këshilltarët vendorë dhe me grupet e interesit.

“Në kuadër të bashkëbisedimit me qytetarët, por dhe të dëgjesave që ne kemi  bërë jo vetëm me lidershipin e të rinjve, por edhe më gjerë, ka dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me një projektligj që është dërguar në Parlamentin shqiptar, projektligji për vetëqeverisjen lokale. Ne jemi të bindur se ka nevojë për një ligj, ka nevojë për një vetërregullim sepse vetë ndarja e re administrative territoriale kërkon nga ana saj një ligj të ri. Por nga ana tjetër, ky projektligj duhet të ishte pjesë e diskutimit publik, të ishte pjesë e konsultave, sepse nuk mundet të dërgohet në parlament një projektligj i cili nuk kalon në konsultë publike, i cili nuk konsultohet me bashkitë e vendit tonë, nuk konsultohet me këshilltarët, nuk konsultohet me qarqet apo me këshillat e qarqeve”, tha Braimllari.

Në vijim të fjalës së tij, Braimllari theksoi se kjo nismë konsultimesh me shoqërinë civile do të vijojë me qëllim dëgjimin e të gjitha mendimeve, ideve dhe projekteve për t’i bërë pjesë të axhendës së Këshillit Bashkiak të Tiranës.

“Ne ndërmarrim sot një nismë konsultash duke filluar me shoqërinë civile sepse e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë shoqërinë civile si një element shumë të rëndësishëm të punës sonë të përditshme. Ne nuk jemi sot këtu për të bërë politikë. Ne nuk jemi sot këtu për të folur mbi programin tonë, por jemi sot këtu për t’ju dëgjuar që mendimet , idetë, projektet që ju keni, t’i bëjmë pjesë të axhendës sonë në këshillin bashkiak të Tiranës”, tha Braimllari.

Kreu i grupit të Këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Shezai Rrokaj u shpreh se ky ishte takimi i parë që organizohet në kuadrin e dëgjesave me qytetarët e Tiranës dhe me grupet e interesit.

“Ne kemi treguar që e kemi prioritet rininë si formacion politik. Kemi një pjesëmarrje në këshillin bashkiak dominuese nga ana e rinisë sepse konsiderojmë që Tirana mund të jetë e gjallë, mund të jetë e re falë mendësisë, falë frymës që ia jep rinia. Rinia jonë ka probleme nga më të mëdhatë. Problemi i parë i saj është problemi i integrimit në gjithë jetën arsimore, edukative, kulturore, por dhe sipërmarrëse të vendit. Problemi i dytë i rëndësishëm është që në kuadrin e ndarjes së re administrative, konceptimi i funksionimit të politikave rinore duhet të bëhet në kuadrin e kësaj ndarje të re administrative për të krijuar një sinergji nga komunat më të largëta deri tek njësitë administrative”, u shpreh Shezai Rrokaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb