Partia Liberale Serbe e Kosovës, njofton se të enjten në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Dheun e Bardhë, është ndaluar nga ana e policisë serbe, Sërgjan Jovanoviç, anëtar i Partisë Liberale Serbe, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.


Kryetari i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviç ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky nuk është rasti i parë që zyrtarët e kësaj partie ndalohen në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.


“Jovanoviç është ende në vendkalim. Pjestarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë i kanë thënë atij se kishin një urdhër për ta mbajtur atë deri në ardhjen e anëtarëve të BIA-s (Agjencia për Siguri dhe Informacion të Serbisë) për ta intervistuar”, ka thënë Petroviç duke kërkuar reagimin e menjëhershëm për këtë rast të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare.


Autoritetet kosovare kanë reaguar menjëherë përmes rrjeteve sociale. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky rast dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe, janë një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës.

Akti i ndaljes së Sërgjan Jovanoviçit nga ana e autoriteteve serbe, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë tek serbët e Kosovës.
Më herët, në disa raste, në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, autoritetet serbe i kanë intervistuar për orë të tëra pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, në Merdare janë ndaluar dhe janë intervistuar Slobodan Petroviç, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe bashkëpunëtorët e tij, Boban Stankoviç, zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës dhe Nebojsha Jakovljeviç, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës. Intervistimet kanë zgjatur për orë të tëra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb