Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Charles Kupperman, nuk është paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve rreth hetimeve nëse presidenti amerikan, Donald Trump ka kryer shkelje duke i bërë presion homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, për të hetuar rivalin e tij politik, ish nën-presidentin amerikan, Joe Biden.

Kupperman, i cili ka shërbyer si zëvendës-këshilltar për Siguri Kombëtare, ka injoruar thirrjen e detyrueshme për intervistim nga tri Komitete të Kongresit për të dëshmuar, ka thënë kongresisti demokrat, Adam Schiff, që drejton Komitetin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka siguruar imunitet për dëshmi Kuppermanit, i cili ka nisur një padi federale përmes së cilës kërkon nga gjyqtari që të vendosë nëse duhet të dëshmojë apo jo.

Schiff ka thënë se padia e Kuppermanit “nuk ka bazë ligjore” dhe ka pretenduar se Shtëpia e Bardhë është duke synuar të pengojë Kongresin dhe këshilltarin në dhënien e dëshmisë potencialisht “inkrimunuese”, shkruan Rel.

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka nisur hetimet për shkarkim të Trumpit një muaj më parë, pasi një informator ka thënë se Trump ka kërkuar nga Zelenskiy më 25 korrik, që të hetojë veprimet e Bidenit dhe djalit të tij, Hunter.

Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb